Jemi kthyer në shekullin e kaluar, banorët e Bibajt protestojnë për rrymë
Banorët e fshatit Bibaj të Ferizajt kanë mbajtur sot një protestë paqësore, në shenjë pakënaqësie me reduktimet e energjisë elektrike që kanë prekur shumë zona të vendit në këto kohë dimri. Organizatori i protestës Faton Haxhi Salihu ka paralajmëruar se do të protestojnë serish të hënën përpara ndërtesës së KEDS-it në qendër të Ferizajt, në…
Lajme
Banorët e fshatit Bibaj të Ferizajt kanë mbajtur sot një protestë paqësore, në shenjë pakënaqësie me reduktimet e energjisë elektrike që kanë prekur shumë zona të vendit në këto kohë dimri.
Organizatori i protestës Faton Haxhi Salihu ka paralajmëruar se do të protestojnë serish të hënën përpara ndërtesës së KEDS-it në qendër të Ferizajt, në rast të mos stabilizimit të gjendjes me furnizim me energji elektrike.
“Unë thjesht mbrëmë vura re se disa mërgimtarë, diku rreth 30, morën rrugën e mërgimit duke e lënë Kosovën të nervozuar dhe kjo ishte arsyeja ime pse e mora këtë vendim… I tërë Ferizaj qe tri ditë është në terr dhe shpresojmë që kjo do jetë një nismë që mund të ketë që të hënën në ora 11:00 para KEDS ta kemi të njëjtën protestë”, tha ai.
Ismet Pira, njëri nga protestuesit e sotëm, tregon se kishte ardhur nga Amerika për pushime në vendlindje, por po detyrohet të kthehet përsëri për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
“Jetoj në Amerikë, kam ardhur me shumë vullnet, e me thënë të drejtën jam shumë i zhgënjyer me rrymë, është diçka jo-normale e po më duhet të kthehem para kohe. Është katastrofë. Gjatë tërë kohës nuk ka pasur rrymë, nuk kemi mundur as të pastrohemi, për këtë arsye po kthehem”, tha Pira.
Ndërsa Agron Aliu thotë se në mungesë të furnizimit me energji elektrike është detyruar t’i çojë punëtorët në pushim.
“E vështirë është shumë, sepse e kam një biznes, merrem me prodhimin e mobilieve dhe prej të martës unë i kam punëtorët në pushim. Është shumë vështirë, nuk e kemi arritur qëllimin për të prodhuar mobilie”, tha ai.
Njëri ndër organizatorët Ejup Idrizi tregon për problemet e bizneseve si rezultat i mungesës së energjisë elektrike.
“Na ka shkaktuar dëme familjare, në biznese. Një biznes… ku treguan, se 600 euro i ka pasur harxhime në derivate. Me të vërtetë është një mëkat i madh që në shekullin 21 jemi pa energji elektrike. Kemi dy familje që kanë ardhur para dy dite dhe dje janë kthyer. Është shume keq, kjo nuk është politike, kjo është çështje familjare e biznesore, kjo është arsyeja e kësaj proteste. Jemi kthyer në shekullin e kaluar kur i kemi larguar qirinjtë e llambat tash është shumë e vështirë me jetuar pa energji elektrike pasi që është dimër”, tha ai.
Protesta e sotme e banorëve të fshatit Bibaj ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.