Jehona Lushaku-presidentes Osmani: A nuk janë fëmijët në shkolla prioritet dhe siguri nacionale?

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të Presidentes së Kosovës, duke e akuzuar atë se ka përdorur gjendjen e rëndë të një shkolle publike për të ndërtuar “rrëfim personal të viktimizimit” dhe për të sulmuar mediat e gazetarët. Në një postim publik, Lushaku tha se është e…

Lajme

11/09/2025 13:54

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të Presidentes së Kosovës, duke e akuzuar atë se ka përdorur gjendjen e rëndë të një shkolle publike për të ndërtuar “rrëfim personal të viktimizimit” dhe për të sulmuar mediat e gazetarët.

Në një postim publik, Lushaku tha se është e papranueshme që kushtet e vështira të shkollave të përdoren për qëllime politike, duke theksuar se kjo përbën “tri probleme serioze të përmbledhura në një sulm publik”.

“Shkolla ‘Ismail Qemali’, me afro 3000 nxënës, është ndërtesë e vjetër, por tashmë është siguruar fondi për renovimin e saj vitin që vjen. Deri atëherë, komuna ka ofruar tabela digjitale, kurikulë digjitale dhe kushte sa lejojnë mundësitë buxhetore”, shkroi ajo, duke shtuar se nga viti tjetër nxënësit do të kenë një shkollë moderne.

Lushaku kujtoi se gjatë pesë viteve të fundit, institucionet qendrore kanë injoruar arsimin publik, duke mos ofruar rritje të mjaftueshme pagash për mësimdhënësit dhe duke lënë nxënësit në kushte minimale mësimi.

Ajo theksoi se aktualisht 73% e paraleleve dhe 33% e shkollave nuk kanë kapacitete minimale për mësim normal, ndërkohë që Ministrisë së Arsimit i mbetet buxhet i pashfrytëzuar. Deputetja e LDK-së akuzoi Presidenten se, megjithëse kishte informata të afërta për gjendjen në shkolla publike, nuk ndërmori asnjë hap për të siguruar fonde shtetërore apo donacione ndërkombëtare për renovimin e tyre.

“Kur pushteti e sheh armikun te gazetari, e jo te mungesa e kushteve në shkolla, kemi të bëjmë me një tendencë të rrezikshme: instalimin e një mentaliteti autokratik në Kosovë”, paralajmëroi Lushaku, duke shtuar se vendit i duhet “lidership i sinqertë, që jep zgjidhje për arsimin – jo viktimizim personal e sulme ndaj lirisë së shprehjes”.