“Je mjeku i përjetshëm në specializim”, Zemaj-Vitisë: Qe 20 vjet s’po mundesh me kry

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Armend Zemaj, janë përplasur gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës për gjendjen në shëndetësi. Vitia e përmendi Zemajt çështjen e 1 mijë e 500 specializimeve, duke e akuzuar se nuk e kupton sistemin shëndetësor. “Nuk merret ministri me tenderë. Në secilën gjë…

Lajme

13/11/2026 14:41

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Armend Zemaj, janë përplasur gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës për gjendjen në shëndetësi.

Vitia e përmendi Zemajt çështjen e 1 mijë e 500 specializimeve, duke e akuzuar se nuk e kupton sistemin shëndetësor.

“Nuk merret ministri me tenderë. Në secilën gjë ku unë kam dyshime, e ndaloj dhe e çoj në Prokurori. Unë marr masa nëse Prokuroria thotë nuk merr masa. Më sfido, por jo me shpifje. Më herët kam menduar që e keni show politik, brengosja ime më e madhe është që ju po më duket se ende besoni që 1 mijë e 500 specializimet kanë qenë në rregull. Kjo e kallëzon që s’e kuptoni sistemin shëndetësor. I keni bërë aq dëm, sa nuk e kuptoni”, ka deklaruar Vitia.

Ndërkaq, deputeti Zemaj i është kundërpërgjigjur ministrit se e ka personale me mjekët në specializim dhe specialistët.

Ai e ka ironizuar ministrin lidhur me kohëzgjatjen e specializimit të tij, duke i thënë se që 20 vjet s’ka arritur ta përfundojë atë.

“Ti me mjekët në specializim dhe me mjekët specialistë e ke personale. Ti je mjeku i përjetshëm që je në specializim. Ti je i vetmi njeri që 20 vjet je në specializim, s’ke mundur me kry. Ti e ke personale me ta, se i xhelozon gjeneratat e reja, vuan, e ke ndër vetëdije. Ti je i vetmi që s’ke mundur me përfundu specializimin. Ti je i vetmi mjek në Republikën e Kosovës, mantelbardhë, që s’e ke veshur në pandemi. A po e sheh ku je? Për qata e ke personale me 1 mijë e 500 mjekë në specializim. Nuk e ke me mua”, ka deklaruar Zemaj.