Java më e rëndë politike

Kur punohet mbrapsht, vetëm fati njeh përfundimet e mbara dhe të mira. E në politikën vendore, mbrapshtia është veçoria mbizotëruese.

Opinion

21/04/2014 17:47

Kemi të bëjmë me një ekuacion me thuaja asnjë të njohur. Gjë që e bën atë, realisht, të pazgjidhshëm.

Nuk duket i tepërt ky konkludim politik fare në fillim të kësaj jave të prillit, e cila meriton tiparin e javës politike më të vështirë dhe më të rëndësishme që prej zyrtarizimit të rezultatit të zgjedhjeve të kaluara të përgjithshme  (edhe ato ishin të jashtëzakonshme), në dimrin e viteve 2010, 2011.

Në ditët vijuese, prej të mërkurës, (23 prill), deri të premten  (25 prill), poqëse i kalkulojmë këtu pretendimet e partive politike të Kosovës të artikuluara kumbueshëm ditëve të shkuara, Kuvendi i Kosovës, me praninë dhe përkrahjen e së paku 80 deputetëve të tij, do të duhej të vendoste për: Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për mandatin e ri të EULEX-it dhe krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të viteve 1999, 2000 (nga Raporti i Dick Martyt); Transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës (FSK), në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK); Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme (për këtë vendim, megjithatë, duhet përkrahja e shumicës së thjeshtë të deputetëve të pranishëm); Shpërbërjen e vetëvetes, si Kuvend i Kosovës.

Edhe poqëse do të bëheshin të gjitha këto punë në Kuvendin e Kosovës, para se të ndodhte shpërbërja e Kuvendit, do të duhej vendosur poashtu edhe për Ligjin me të cilin do të shkohet në zgjedhjet e përgjithshme, sepse nuk ka aspak gjasa që në një periudhë fare të shkurtër kohore, të organizohen zgjedhjet me Ligjin e ri. Gjithsesi, do të duhej përcaktuar edhe datën e mbajtjes së tyre.

Qysh qëndrojnë punët tani, del që 25 maji dhe 15 qershori nuk janë më opsione realiste për mbajtjen e zgjedhjeve të dyta parlamentare që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur. Data e parë nuk arrihet dot, e dyta, nuk po pranohet më prej partive politike. (rreziku i fillimit të pushimeve verore). Mbeten pra 1 dhe 8 qershori si varianta të mundshme, nëse Kuvendi i kryen të gjitha detyrat që u theksuan tashmë, dhe nëse arrinë të mbyllë gjatë kësaj jave kaptinën e kësaj legjislature, të katërtës prej se tek ne, në vitin 2001, është legjitimuar demokracia parlamentare në nivelin nacional.

Logjika e këtyre ngjarjeve, e kësaj Agjende që njeh domosdoshmërinë e mbështetjes të së paku dy të tretave të Kuvendit të Kosovës, imponon dukurinë që është aktualisht e paqenë në skenën politike të Kosovës: Atë të konsultimit të vazhdueshëm midis subjekteve politike shqiptare, dhe në mes të këtyre subjekteve dhe entiteteve që përfaqësojnë komunitetet pakicë në vend. Këto konsultime pastaj, do të duhej të merrnin trajtën e Marrëveshjeve të qarta, efektive dhe të suksesshme në vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, jo që nuk ka Marrëveshje të kësisojt. Për më shumë, nuk ka as konsultime. Fare.

Përjashtimi i vetëm në këtë aspekt, ndërlidhet me ndërmjetësimin e bërë disa herë tashmë nga Ambasada e SHBA-së dhe Zyra e BE-së në Prishtinë, për çështjen e Ratifikimit të Marrëveshjes së re në mes të Prishtinës dhe Brukselit për çështjet e EULEX-it dhe SITF-it. Nuk do të ndodhnin as takimet e këtij lloji, për temat që janë pjesë thelbësore e Agjendës nacionale të Kosovës, poqëse nuk do të ishte iniciativa e Ambasadës Amerikane.

Si edhe në shumëçka tjetër, edhe këtu kemi punuar mbrapshtë. Sa të duash.

Po të kishte mend pak dhe vullnet pak më shumë për bashkëpunim në politikën kosovare, qyshmoti, diku në fund të janarit apo në fillim të shkurtit, do të ndodhte dakordimi në nivelin më të lartë politik në vend, për Agjendën kombëtare, e cila gjithsesi njeh vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës.

Koha e zgjedhjeve parlamentare, pastaj, do të ishte konsekuencën e logjikshme e pajtimit për sendërtimin e Agjendës kombëtare.

Por në politikën kosovare, që prej janarit, thuaja tema e vetme ka qenë kur do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, duke harruar në plotëni detyrat që duhet përmbushur, për të çelë udhë për organizimin e tyre.

Me një Kuvend që tash e sa kohë është burim i krizës politike në vend, me një Qeveri që nuk ka shumicë në Kuvend, me një situatë kur çdo përllogaritje e mundshme e votës niset dhe soset me hijen e zgjedhjeve që u ri mbi kokë secilit deputet, me sprovat tepër të rënda politike me të cilat përballet politika e Kosovës, me mungesën e vazhdueshme të dialogut në mes të kryepolitikanëve të vendit, duket që gjasat që ky lëmsh i madh të tëfillohet si duhet janë gati të paqena.

 

Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net

Ky opinion është shkruar enkas për lajmi.net. Ndalohet ripublikimi.