Jashari: Rreth 170 inspektime në sektorin e ndërtimit, synohet rritja e sigurisë në punë

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, pas takimit me Shoqatën e Ndërtuesve të Kosovës, tha se ky bashkëpunim synon rritjen e standardeve të sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve në vendet e punës. Ai theksoi se koordinimi i ngushtë ndërmjet institucioneve dhe punëdhënësve është jetik për të garantuar një…

Lajme

22/04/2026 14:41

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, pas takimit me Shoqatën e Ndërtuesve të Kosovës, tha se ky bashkëpunim synon rritjen e standardeve të sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve në vendet e punës.

Ai theksoi se koordinimi i ngushtë ndërmjet institucioneve dhe punëdhënësve është jetik për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë punëtorët.

“Në fakt, sapo patëm një takim bashkë me shoqatën e ndërtuesve, ministrin dhe i gjithë takimi ishte në frymë plotësisht konstruktive. Natyrisht, ata kanë shprehur gatishmërinë që të bashkëpunohet me neve, secili në rolin e vet. Kuptohet që ne kemi thënë edhe më herët se partneriteti i tyre është i padiskutueshëm, kështu që edhe nga ana tyre edhe nga ana jonë, secili në rolin tonë, do të vazhdojmë bashkëpunimin në kuptimin e kontributit të çështjeve të sigurisë në punë.Do të thotë, çështjet ligjore të implementimit të saj nuk diskutohen, por duhet të vazhdojmë në kuptimin e një bashkëpunimi të plotë që të dy palët të kuptojnë rolin e vet me qëllim që punëtorët tanë të mos ndodhen në situata të tilla siç kanë ndodhur deri më tani. Por ishte një takim komplet konstruktiv“, tha ai.

Sa i përket inspektimeve në vendin e punës, Jashari tregoi shifrat.“Në fakt, shifrat janë publike në uebfaqen zyrtare të Inspektoratit Qendror të Punës, domethënë që deri tani janë rreth 170 inspektime dhe riinspektime dhe keni vendndalime, domethënë pikat vendndaluese që janë rreth 71 deri më tani. Ka pasur edhe lejime, varësisht prej kompanive ose subjekteve të cilat i kanë plotësuar rekomandimet tona. Kështu që të gjitha janë publike dhe mund t’i referoheni uebfaqes sonë zyrtare të Inspektoratit Qendror të Punës“, thotë Jashari.