Jashari: Fajet kryesore i ka LVV-ja, nuk shkohet në Kuvend kur nuk ki vota
Avokati Arbër Jashari ka deklaruar se megjithëse të shtunën është bërë një hap përpara me verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar. Sipas tij, për këtë situatë, përgjegjësinë kryesore e mban Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. I ftuar në Dukagjin Jashari tha se…

Lajme
Avokati Arbër Jashari ka deklaruar se megjithëse të shtunën është bërë një hap përpara me verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar.
Sipas tij, për këtë situatë, përgjegjësinë kryesore e mban Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Vetvetiu jemi të çuditshëm dhe të talentuar për të krijuar kriza edhe aty ku nuk ka nevojë. I sajojmë konstrukte juridike kur çështjet janë të thjeshta dhe të qarta. Të shtunën u bë një hap me votimin e raportit të verifikimit dhe betimin e deputetëve, por Kuvendi ende nuk është konstituuar. Kjo nuk do të duhej të ishte problem, por përgjegjësia kryesore i takon LVV-së, që e ka ditur rezultatin e zgjedhjeve dhe megjithatë nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme – as nga pakicat joserbe, e lëre më nga partitë shqiptare”, deklaroi Jashari.
Ai theksoi se shkuarja në seancë pa siguruar paraprakisht 61 vota është e papërgjegjshme dhe se mungesa e një marrëveshjeje të qartë politike ka prodhuar krizë.
“Kurti sillet në mënyrë komode, sikur ende ka fuqinë që e ka pasur në mandatin e kaluar. Por tani ai ka nevojë për një aleat të ri politik për të hedhur hapa përpara”, tha Jashari.
Sipas tij, pozita e parë politike është njëkohësisht privilegj dhe përgjegjësi, dhe është Kurti ai që duhet të gjejë zgjidhje për dalje nga kriza institucionale.
“Jemi në një stad ku nuk dihet qartë kush është pozita dhe kush opozita,” përfundoi Jashari.