Jasharajt i thanë “jo” pozitës së Presidentit, çka do të ndodh tash?
Më 5 mars, është data e fundit kur Kosova duhet ta ketë të zgjedhur Presidentin apo Presidenten e ri, 30 ditë para se Presidentes aktuale, Vjosa Osmanit t’i kaloj zyrtarisht mandati. Që një President i ri të zgjidhet, në dy raundet e para të votimit nevojiten 80 vota, ndërsa në të tretin nevojitet vetëm kuorum…
Lajme
Më 5 mars, është data e fundit kur Kosova duhet ta ketë të zgjedhur Presidentin apo Presidenten e ri, 30 ditë para se Presidentes aktuale, Vjosa Osmanit t’i kaloj zyrtarisht mandati.
Që një President i ri të zgjidhet, në dy raundet e para të votimit nevojiten 80 vota, ndërsa në të tretin nevojitet vetëm kuorum prej 80 deputetësh ndërsa zgjidhet edhe me 61 vota.
Por që të sigurohen 80 vota,po shihet “mal që nuk kalohet”, shkruan lajmi.net.
Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një prononcim për media të hënën pas takimit me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Ai tha se nga 66 vota që i kanë, 80-shi është larg e përveç kësaj ai tha se për të qenë të sigurt duhet t’i kenë së paku 85 vota.
Këto 85 vota, Kurti do të mund t’i arrinte vetëm në një bashkëpunim të mundshëm me PDK-në e që kjo po shihet problematike.
Që të zgjidhet ky ngërç, nga VV kanë thënë se mund ta bëj vetëm dikush nga familja Jashari.
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka thënë dje para mediave se po shihet një koncensus i gjerë në shoqëri që kandidat të jetë dikush nga familja Jashari.
Por, a mund të ndodh kjo?
Murat Jashari dje në një intervistë për Vox Kosova, ka mohuar kategorikisht se do të synoj pozitën e Presidentit. Ai ka thënë se nuk ka ambicie për pozita politike, dhe se të njëjtën do t’ia ofronte Kosovës vetëm në rast të një gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë.
“Ju kam treguar se s’kam ambicie politike. Familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve. Po në mes të qenit në pozita publike dhe profesionit që kam dhe pjesë e familjes që jam unë i zgjedhi këto të tjerat”, është shprehur ndër të tjera Jashari.
E të njëjtën e ka thënë mbrëmë edhe djali i xhaxhait të tij, Bekim Jashari, ish kryetar i Komunës së Skenderajt.
Ai tha Radios Evropa e Lirë se ai mban qëndrimin e djalit të xhaxhait, duke shtuar “nuk kam çka t’i shtoj kësaj, asnjë pikë apo presje”.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.
Ambicie për edhe një mandat në krye të shtetit, ka shprehur presidentja Vjosa Osmani, por që deri tani ajo nuk ka gjetur mbështetje nga Kurti.
Tani që kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë që të zgjidhet Presidenti, nuk dihet nëse kjo do të arrihet apo vendi do të shkoj në zgjedhje. /Lajmi.net/