Jasharaj paralajmëron masa radikale nëse nuk merren vesh me Qeverinë për Ligjin e Pagave

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se po bëjnë të pamundurën që të evitojnë protestat dhe të zgjidhet problemi i Ligjit të Pagave me dialog me akterët qeveritarë.

Lajme

24/11/2021 16:44

Jasharaj për lajmi.net ka thënë se për këtë, ka mbajtur sot një takim me ushtruesen e detyrës së shefes të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kryetarin e Komisionit Parlamentar për Arsim Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Golën, ku ka shprehur shqetësimet e tij për Ligjin e Pagave.

“Një takim me krejt sindikatat e kishte organizuar shefi i GP i AAK, z. Besnik Tahiri. Ndërsa sot, vetëm përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë pasur takim me shefen e GP të partisë më të madhe në parlament, pra me VV, me znj. Kusari-Lila. Aty ishte edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, ja treguam të gjitha shqetësimet tona dhe iu drejtuam me kërkesën legjitime që të kemi dialog të sinqertë lidhur me Ligjin e Pagave, duke treguar se nëse ky dialog mungon në të ardhmen”, ka thënë ai.

Megjithatë, në rast se nuk ndërmerren hapa nga ana e Qeverisë, Jasharaj ka paralajmëruar protesta më 4 dhe 18 dhjetor. Në rast se nuk reflektohet edhe pas kësaj date, kryetari i SBASHK-ut ka thënë se do të ndërmerren masa radikale, duke vënë theksin në greva.

“Të gjitha versionet janë të hapura, ne do të bëjmë të gjitha angazhimet e mundura që të hapen dyert e dialogut, që të mos vijë fare as 4 dhjetori. Por, nëse kështu vazhdohet, atëherë do të ketë edhe 4 dhjetor edhe 18 dhjetor dhe fatkeqësisht pastaj gjysmëvjetori i dytë mund të na pres edhe me veprime sindikale edhe me greva, të cilat nuk i duam aspak. Por, i mbetet qeverisë që edhe ajo të reflektojë dhe ta kryjë obligimin e saj”, ka deklaruar tutje Jasharaj.

Sido që të jetë, pakënaqësi lidhur me çështjen e Ligjit të Pagave po shfaqin edhe punonjësit shëndetësor, e cila do të manifesohet me greva. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka bërë të ditur se nesër do të futen në grevë nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 15:00, pasi që nuk kanë marrë ftesë për dialogim nga krerët institucional.

“Andaj Greva e Përgjithshme e caktuar për nesër e Enjte datë 25.11.2021 do të mbahet duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit deri në ora 15:00 në të gjitha institucionet shëndetësore publike të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Këshilli Qendror Grevist kërkon mirëkuptim nga qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë Grevës respektivisht solidarizim me punëtorët shëndetësor të cilët po e shfrytëzojnë një të drejtë ligjore për kërkesat sublime të tyre siq janë kushte më të mira për punë dhe mirëqenie sociale”, shtohet tutje.

Ligji i Pagave nuk është përfshirë në projektbuxhetin për vitin 2022, të miratuar në parim në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Përgjatë ditës së nesërme, pritet që ky projektbuxhet të hidhet në votim në seancën e radhës në Kuvendin e Kosovës. Këtë e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti në fund të mbledhjes së qeverisë ua ka përkujtuar ministrave se nesër Kuvendi do të mbajë seancë ku do të hidhet në votim buxheti për vitin 2022. /Lajmi.net/

Qeveria s’po i merr parasysh, nesër fillon greva e mjekëve në të gjitha institucionet shëndetësore