Japin dorëheqje edhe tre anëtarë të Këshillit Drejtues të UP’së
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, kanë dhënë dorëheqje edhe tre anëtarët e tjerë që vijnë nga pjesa jashtë universitetit.

Lajme
Vala e dorëheqjeve në Universitetin e Prishtinës po vazhdon.
Pas Kryetarit të Këshillit Drejtues, dorëheqje kanë dhënë edhe tre anëtarë tjerë të këtij këshilli, që është organi kryesor vendimmarrës në këtë institucion.
Dorëheqja e tyre është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar nga Rektorati pak çaste më parë.
“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot (10.02. 2014) të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, kanë dhënë dorëheqje edhe tre anëtarët e tjerë që vijnë nga pjesa jashtë universitetit”.
“Ndërkohë që pesë anëtarë të tjerë që janë zgjedhur nga Senati kanë vendosur të mos japin dorëheqje, deri në një zgjidhje tjetër”.
“Anëtarët e dorëhequr e kanë marrë këtë vendim si shenjë të reflektimit për situatën e krijuar në UP, të bindur se ky hap do të kuptohet si vullnet për tejkalimin e gjendjes”.
“Dorëheqja ka pasuar presionet politike të ardhur edhe nga një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”.