Janë dy rrugë, sipas VV
Vetëvendosje hapi fushatën në Besianë. Aty, Albin Kurti i quajti “rrena” premtimet e Hashim Thaçit për investime milionëshe nëpër komuna.
Lajme
Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka premtuar se do ta ndryshojnë kulturën e arsimin, kurse tokave bujqësore t’ua ndalë kontaminimin.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po ashtu, në fjalimin e tij para elektoratit, i ka quajtur “rrena” premtimet e Hashim Thaçit për investime milionëshe nëpër komuna.
Por, Kurti u mor më shumë me administratën komunale të Podujevës, e cila, sipas tij, nuk përmbush kriterin gjinor.
“Në administratën e Komunës së Podujevës këtu, ka shumë diskriminim gjinor. Nga gjithsej 262 nëpunës, gra e vajza janë vetëm 36. Kjo duhet të ndryshohet urgjentisht dhe do të ndryshohet menjëherë me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje, me qeverisjen e Xhemshit Vokrrit”.
“Numri prej vetëm 46 vajzave e grave në Komunën e Besianës është tepër larg prej detyrimit ligjor në institucionet publike ashtu siç e thotë ligji për barazinë gjinore. Me Lëvizjen Vetëvendosje përfundon edhe diskriminimi, përfundojnë edhe privilegjet”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se as LDK nuk e ka guximin që të ballafaqohet me krimin e organizuar, me SHIK’un dhe me privatizimin.
Ndërsa, Nënkryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se pushtetarët po pasurohen nga varfëria e qytetarëve dhe e rrisin varfërinë e qytetarit, për çka ka premtuar se do të ndërpritet me Vetëvendosjen në pushtet.
“Më 3 nëntor, qytetarit të Kosovës, qytetarit të Besianës, mund t’i duket se ka shumë zgjedhje, qytetari mund të mendojë se ku mund ta japë votën.”
“Por, qytetari shumë e di se janë vetëm dy rrugë.”
“Është rruga e varfërisë, e degradimit ekonomik e social, e nënshtrimit ndaj Serbisë, e korrupsionit, e privatizimit e keqpërdorimit. Pra, është rruga e PDK’së e LDK’së, është rruga e Hashimit e Isës, është rruga e Naimit e Agimit.”
“Por, është edhe rruga tjetër, rruga e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, rruga e zhvillimit e prodhimit, e rritjes së punësimit, e shtetit zhvillimor, është rruga e mirëqenies dhe barazisë e shtetit social, është rruga e komunës së përbashkët, e komunës së qytetarëve, është rruga e Vetëvendosjes”, ka thënë Ymeri.
Kandidati për Kryetar të Komunës, Xhemshit Vokrri, është shprehur se po të flasë me orë të tëra nuk mund të tregohen të gjitha keqpërdorimet e keqtrajtimet e atyre që, siç ka thënë ai, e sundojnë vendin.
“Mjafton të cekim, mungesa e objekteve shkollore, ujit të pijshëm, mungesën e kanalizimit, furnizimin me rrymë, shërbimet komunale, e mos të flas për shërbimet shëndetësore, kulturë dhe rekreacion”.
“Sa i përket pjesës ekonomike për fat të keq nuk kemi çka të themi, pothuajse ajo nuk ekziston. Nuk ekziston gjëja themelore për funksionimin e Komunës së Besianës. Po e përmendi një të dhënë tronditëse, vetëm 16 për qind e qytetarëve të Besianës punojnë”, ka thënë Vokrri.