“Jam i pafajshëm, s’jam i përfshirë në rastin e Muhamet Likës” – Çfarë thuhet në dosje për ish-pjesëtarin e FSK-së?

Ish-pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rilind Murati, i përmendur në rastin e vrasjes së zyrtarit policor Muhamet Lika në Kaçanik, ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje të rëndë. Ai nuk e ka pranuar veprën penale për të cilën është ngarkuar nga organet e rendit. Në një dosje të siguruar nga Indeksonline,…

Lajme

23/04/2025 15:12

Ish-pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rilind Murati, i përmendur në rastin e vrasjes së zyrtarit policor Muhamet Lika në Kaçanik, ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje të rëndë.

Ai nuk e ka pranuar veprën penale për të cilën është ngarkuar nga organet e rendit.

Në një dosje të siguruar nga Indeksonline, pasqyrohet deklarata e mbrojtjes së Muratit, e cila lidhet me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Musa Konxheli, i emëruar sipas detyrës zyrtare, ka kundërshtuar këtë kërkesë të prokurorisë, duke theksuar se provat e prezantuara në dosje ekzistojnë si materiale, por pa u administruar dhe analizuar në mënyrë të drejtë nga gjykata, ato nuk mund të provojnë përfshirjen e Muratit në kryerjen e veprës penale.

Sipas avokatit, e vetmja bazë mbi të cilën është mbështetur kërkesa për paraburgim është deklarata e dhënë nga Murati në polici më 21.04.2025 dhe vetë dokumenti i kërkesës për paraburgim. Ai thekson se mungojnë prova shtesë apo shkresa që do ta mbështesnin dyshimin e bazuar se klienti i tij është i përfshirë në rastin në fjalë.

Konxheli argumenton se këto dy prova, në këtë fazë të procedurës, nuk janë të mjaftueshme për të konkluduar se janë plotësuar elementet e veprës penale. Si rrjedhojë, ai i propozon gjykatës të refuzojë kërkesën për paraburgim, duke e cilësuar këtë masë si tepër të rëndë në rrethanat aktuale.

Në vend të paraburgimit, avokati kërkon që ndaj Muratit të zbatohet një masë më e lehtë, konkretisht arresti shtëpiak, siç parashihet me nenin 171 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Ai garanton se klienti i tij do ta respektojë plotësisht këtë masë dhe do të jetë në mbikëqyrje të policisë në vendbanimin e tij.

Në deklarimin e tij para gjykatës, Rilind Murati u shpreh qartë:

“E mbështes plotësisht deklaratën e avokatit tim mbrojtës. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar, përveç se deklaroj se jam plotësisht i pafajshëm dhe nuk kam asnjë përfshirje në këtë çështje penale.”.