“Jam Albini o pushkë me qit” – Ende pa përfunduar numërimi, Edona Llalloshi siguron ulësen në Kuvend duke marrë mbi 19 mijë vota
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, nuk pritet të sjellin shumë ndryshime në Kuvendin e Kosovës, e sidomos në ulëset e siguruara nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti që ka marrë 49,34% të votave në nivel vendi, do t’i nxë 56 deri në 57 ulëse në Kuvend. Por, kush pritet të ulet aty? Në 10-shen e parë të…
Lajme
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, nuk pritet të sjellin shumë ndryshime në Kuvendin e Kosovës, e sidomos në ulëset e siguruara nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo parti që ka marrë 49,34% të votave në nivel vendi, do t’i nxë 56 deri në 57 ulëse në Kuvend.
Por, kush pritet të ulet aty?
Në 10-shen e parë të deputetëve të VV-së me më së shumti vota, nga numërimi i 55.89% të kutive të votimit, janë Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla-Schwarz, Xhelal Sveçla, Hajrulla Çeko, Avni Dehari, Mimoza Kusari-Lila dhe Ejup Maqedonci.
E 18-ta me radhë, e që do ta ketë një ulëse në Kuvend, është ish-deputetja e legjislaturës së kaluar, dhe këngëtarja e njohur kosovare Edona Llalloshi.
Ajo në këto zgjedhje, mori plotë 18 mijë e 884 vota.
Ndonëse ende nuk ka përfunduar numërimi, Llalloshi e ka siguruar ulësen e saj në Kuvendin e Kosovës.

A i ndihmoi asaj kënga për liderin e partisë, Albin Kurtin gjatë fushatës?
Gjatë fushatës, Edona Llalloshi në Zvicër, i ka kënduar këngë Albin Kurtit.
“Jam Albini o pushkë me qit”, është njëri nga vargjet e kësaj kënga e cila mori shumë kritika nga opozita, e shoqëria civile por edhe vetë nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca.
“Ja nuk e pasna ni… qe hera e parë. Unë mendoj se… bile edhe Kurti, sepse e njoh shumë mirë, ai e ndan mendimin se për së gjalli njerit nuk i qitet kangë. Besoj që pajtohet Kurti në këtë pikë. Përmendorja është mirë me iu ngrit vetëm heronjëve, që janë figura madhështore. Përmendore e këngë i bëhet, Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës, figurave të cilave shoqëria pasi të vdesin ua qet bilancin. Përmendore munden me të ba për së gjalli veç shoqnitë tjera, popuj tjerë ka kuptim. Por, na njëri-tjetrit, përmedndore edhe kangë nuk është mirë”, ka thënë ai. /Lajmi.net/