Jakupi: Besojmë se PDK do rikthehet në udhëheqje e Shtimes, në qeverisjen e Aliut, komuna është më e varfër, pa asnjë projekt madhor

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen gjatë vjeshtës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur një takim me përfaqësuesit e partive politike me 5 qershor për të folur për caktimin e datës për zgjedhjet lokale. Partitë kanë filluar të mobilizohen dhe të konfirmojnë kandidatët për kryetarë nëpër komuna. Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net…

Lajme

03/06/2025 15:11

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen gjatë vjeshtës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur një takim me përfaqësuesit e partive politike me 5 qershor për të folur për caktimin e datës për zgjedhjet lokale.

Partitë kanë filluar të mobilizohen dhe të konfirmojnë kandidatët për kryetarë nëpër komuna.

Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar kryetarin e PDK-së në Shtime, Rrahim Jakupin.

Ai tha se PDK ende nuk ka marr vendim përfundimtar se kush do të jetë kandidati për kryetar në këtë këtë komunë.

“Aktualisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka marrë ende vendim përfundimtar lidhur me kandidatët për kryetarë komune, pasi sipas Statutit të partisë, emrat e kandidatëve zyrtarizohen nga niveli qendror. Megjithatë, në degën e PDK-së në Shtime kemi filluar procesin e konsultimeve me strukturat e partisë, qytetarët, si dhe faktorë të tjerë shoqërorë e profesionalë, për të propozuar kandidatin më të përshtatshëm dhe më të denjë që do t’i prijë alternativës tonë për qeverisje lokale.”, tha Jakupi.

Tutje, ai tha se beson që PDK do rikthehet në udhëheqje të komunës së Shtimes.

“Ne besojmë se në zgjedhjet lokale të vitit 2025 do të rikthehemi në udhëheqjen e Komunës së Shtimes. Kjo bindje mbështetet në faktin se pushteti aktual ka dështuar thellë në përmbushjen e premtimeve elektorale të vitit 2021, në të gjitha fushat. Qytetarët e Shtimes janë zhgënjyer dhe të vetëdijshëm për këtë dështim, dhe ne besojmë se do të japin një përgjigje të qartë përmes votës së tyre.”, u shpreh ai.

Jakupi e vlerësoi negativisht punën e kryetarit aktual të Shtimes, Qemajl Aliu, që është nga radhët e VV-së.

Ai tha se mandati i Aliut ka qenë i dëmshëm për Shtimen.

“Mandati i z. Qemajl Aliu ka qenë i dëmshëm për Komunën e Shtimes. Ai ka kontribuar në polarizimin e shoqërisë, politizimin ekstrem të administratës komunale, dhe ndërhyrjen në sektorët vitalë si arsimi dhe shëndetësia, ku janë evidentuar skandale serioze që po hetohen nga organet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë Speciale. Ka raste të shumta të dokumentuara për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe cenim të të drejtave të nëpunësve civilë, të cilat janë konstatuar edhe nga Gjykatat dhe Inspektorati i Punës. Po ashtu, ai ka larguar investitorë seriozë që ishin të gatshëm të investonin në projekte strategjike në vlerë mbi 300 milionë euro, duke e privuar kështu Shtimen nga një mundësi historike për zhvillim ekonomik dhe punësim. Sot, pas katër vitesh qeverisje nga VV, Shtimja është më e varfër, pa asnjë projekt madhor me ndikim real për qytetarët. Investimet e realizuara janë shpesh të pakuptimta dhe të destinuara më shumë për shpenzime pa transparencë, të cilat ngjallin dyshime për përfitime të strukturave të afërta me pushtetin lokal.”, u shpreh Jakupi.

Për dallim nga partitë e tjera që veçse i kanë bërë publik shumë prej emrave kandidatë për kryetar në komuna, nga PDK-ja po qëndrojnë më të mbyllur sa i përket publikimit të emrave të konfirmuar./Lajmi.net/