Jakup Krasniqi bashkë me partinë i ndërron edhe fjalët

Kryetari në shkuarje i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ndryshe deklaron sot, kur është fjala për grupin më të madh parlamentar, e krejt ndryshe kishte deklaruar në vitin 2011, kohë kur po bëheshin përgatitjet e seancës konstituive të legjislaturës së kaluar. 

Lajme

12/07/2014 17:35

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar në shkuarje vendosi që grupi më i madh parlamentar është ai LDK-AAK-Nisma, gjë që u kundërshtua nga PDK, por jo edhe nga numri dy i Nisma-s, i cili para afro katër viteve, në të njejtën situatë kishte pasur qëndrim tjetër. 

Në atë kohë, Krasniqi kishte insistuar se grupet parlamentare formohen në bazë të dokumentacionit të sjellë nga KQZ, ndërsa sot ka interpretim tjetër, duke thënë se grupet parlamentare formohen në bazë të deklarimit të deputetëve në formularin e regjistrimit të tyre në Kuvend. 

Krasniqi, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendnit për seancën konstitutive të legjislaturës së fundit viti 2011, transkriptin e të cilit ditë më parë e ka publikuar lajmi.net,  kishte thënë se renditja e partive në Kuvendin e Kosovës, bëhet sipas çertifikimit të rezultateve nga KQZ. 

Ndërkaq sot në cilësinë e Kryetarit të Kryesisë së Kuvendnit, ka deklaruar se grupi më i madh parlamentar është blloku opozitarë, pjesë e së cilës është edhe partia e tij Nisma për Kosovën. 

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendnit për seancën konstitutive të legjislaturës së kaluar, Krasniqi, disa herë kishte këmbëngulur që renditja e partive “varet nga certifikimi që ka bërë Komisioni Qendror Zgjedhor”. 

Në një moment, gjatë mbledhjes, Krasniqi kishte kërkuar edhe komentin e Nexhat Dacit, meqenëse kishte përvojë të gjatë parlamentare, dhe ky i fundit i ishte përgjigjur: “Unë mendoj që propozimi juaj kryetar, dhe atë që e thanë përfaqësuesit e partive politike, duhet të jetë definitiv. Rezultatet e certifikuara duhet të vlejnë derisa të zgjasë mandati, përndryshe në qofte se e lëmë mundësinë e hapur këtu, ne në një mënyrë iniciojmë “trafikimin” e deputetëve””, thuhet ndër të tjera në transkrptin e mbledhjes së vitit 2011. 

Ndërkaq pas takimit të së shtunës Krasniqi ka dalë me qëndrime të kundërta. 

“LDK AAK NISMA e kanë grupin më të madh parlamentar, kjo është në pajtim me Kushtetutën dhe se për këtë është pajtuar Kryesia e Kuvendit”, tha sot Krasniqi. (lajmi.net)