Jakaj: Moszbatimi i vendimeve të Kushtetueses duhet të ketë pasoja penale

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, deklaroi se  me anë të kësaj nisme, propozojnë që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të ketë pasoja të qarta penale.…

Lajme

23/07/2026 10:59

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, deklaroi se  me anë të kësaj nisme, propozojnë që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të ketë pasoja të qarta penale.

Fillimisht, Jakaj sqaroi se synimi i kësaj nisme është të përcaktohet përgjegjësia penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të sanksionohet përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.

Sa i përket propozimit të parë, hulumtuesi tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme, e të cilat duhet të zbatohen nga të gjitha institucionet.

Sipas hulumtuesit, një shembull konkret i moszbatimit të vendimeve të Kushtetueses është moszbatimi i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, ku si pasojë mbi 94 mijë zyrtarë publikë nuk kanë përfituar pagesat që burojnë nga ky aktgjykim.

“Megjithatë, në Kosovë kemi parë raste kur ato nuk janë zbatuar. Një nga shembujt më të qartë është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Gjykata obligoi Kuvendin që, brenda gjashtë muajve, ta harmonizonte ligjin, por kjo nuk ndodhi. Si rezultat, edhe sot mbi 94 mijë zyrtarë publikë nuk kanë përfituar pagesat që burojnë nga ky aktgjykim”, tha ai.

Jakaj theksoi se kur nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk cenohet vetëm një aktgjykim, por cenohet autoriteti i Kushtetutës.

“Pikërisht për këtë arsye propozojmë që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të ketë pasoja të qarta penale”, shtoi ai.

Hulumtuesi tha se kjo nismë nuk është kundër asnjë partie politike, nuk është kundër asnjë qeverie, nuk është kundër asnjë individi, por është një nismë në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe në mbrojtje të shtetit të së drejtës.

Në fund, Jakaj bëri të ditur se për ta proceduar këtë nismë në Kuvend, nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime, kështu që ky proces fillon në Prishtinë për të vazhduar edhe në komunat tjera.

“Për ta proceduar këtë nismë në Kuvend nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime. Sot e fillojmë këtë proces në Prishtinë, në javët në vijim do të jemi në komunat e Kosovës për t’i informuar qytetarët dhe për t’i ftuar të bëhen pjesë e kësaj nisme. Ftoj secilin qytetar të informohet për përmbajtjen e saj. Dhe, nëse beson se askush nuk duhet të jetë mbi Kushtetutën dhe se paraja publike duhet t’u shërbejë qytetarëve, ta mbështesë këtë nismë me nënshkrimin e tij, sepse demokracia nuk mbrohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Ajo mbrohet edhe duke kërkuar përgjegjësi”, u shpreh Jakaj. /BetimipërDrejtësi