Jahjaga takohet më ambasadorët e Quintit

Presidentja Jahjaga ka takuar sot përfaqësuesit e shteteve të shtetit të Quintit në Kosovë. 

Lajme

13/05/2014 14:18

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka biseduar sot me Ambasadorët e shteteve të Quintit, lidhur me procesin e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare. 

Jahjaga në këtë takim u ka bërë thirrje përfaqësuesve diplomatikë në Kosovë, që të marrin pjesë në monitorimin e procesit zgjedhor, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

“Presidentja Jahjaga ka pritur sot në takim ambasadorët dhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë së Madhe të akredituar në Kosovë për të diskutuar për procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

“Jahjaga i njoftoi ambasadorët për vendimin e saj për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 8 qershor, pas konsultimeve gjithëpërfshirëse me partitë dhe subjektet politike të Kosovës, për të gjetur një datë brenda suazave të përcaktuara ligjore dhe që lejon hapësirën e nevojshme për përgatitjen e zgjedhjeve në vend”.

“Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë, të lirë dhe demokratik për të ndihmuar në përmbushjen e vizionit evropian të Kosovës, dhe shtoi se tashmë i ka drejtuar ftesë Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshës Catherine Ashton që të dërgojë në Kosovë një mision vëzhgues të zgjedhjeve”.

“Presidentja Jahjaga po ashtu inkurajoi ambasadat e akredituara në Kosovë që të marrin pjesë në monitorimin e zgjedhjeve, për të siguruar një proces transparent dhe një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në nivel vendi”.

“Ambasadorët e vendeve të Kuintit falënderuan Presidenten Jahjaga për qëndrimin e saj për një proces të drejtë zgjedhor dhe e theksuan përkushtimin e tyre për të ndihmuar në realizimin e këtyre objektivave”.