Jahjaga: Pajtimi ka kuptim kur pranohen realitetet
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka marrë pjesë sot në panelin "Nga pajtimi drejt integrimit" në kuadër të Forumit Evropian Alpbach në Austri.

Lajme
Së bashku me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe pjesëmarrës nga organizata të ndryshme ndërkombëtare e nga rajoni i Evropës Juglindore, presidentja Jahjaga ka folur për rrugën evropiane të Kosovës dhe të rajonit, përpjekjet për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore, vendosjen e drejtësisë për viktimat e luftës, si dhe përfshirjen e të rinjve në proceset e rëndësishme të vendeve të tyre.
Duke iu drejtuar studentëve, në mesin e të cilëve kishte edhe nga Kosova e nga Serbia, Jahjaga tha se është ë rëndësishme që të shihet më larg se urrejtjet.
“Është e jashtëzakonshme kur të rinjtë që vijnë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, që zakonisht ka prodhuar më shumë histori se sa mund të konsumojë, siç do të thoshte ish-kryeministri britanik Churchill, ta shohin njëri tjetrin përtej urrejtjeve, smirës dhe inateve ballkanike, duke dëshmuar se pajtimet mes njerëzve e popujve janë të mundshme dhe se integrimet varen plotësisht nga vullneti i tyre”, tha ajo.
Jahjaga më tej tha se “përtej dhunës dhe hegjemonive, rrënimeve e shkatërrimeve të jetëve të njerëzve, përtej hasmërive të vjetra dhe mosdurimit ndaj njëri-tjetrit, sot rajoni i Ballkanit Perëndimor, sado ngadalë, po dëshmon vullnetin për bashkëpunim dhe bashkëjetesë, që çon drejt përmbylljes së proceseve të integrimit euroatlantik”.
Presidentja theksoi se pranimi i realiteti shpejton rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Kjo bashkëjetesë nënkupton pajtimin mes njerëzve që e kanë parë njëri tjetrin me dyshime. Pajtim të drejtë dhe të plotë me drejtësinë, që do të vihet në vend, për të shëruar shpirtrat e të gjitha atyre viktimave të luftërave të përgjakshme, posaçërisht për gratë e përdhunuara dhe për familjet e atyre që sot ende janë të zhdukur. Dhe pajtimi ka kuptim kur pranohen realitetet! Sepse kjo ndryshon edhe qasjen e fqinjëve ndaj njëri-tjetrit dhe përshpejton rrugën drejt BE-së”, tha ajo.