Jahjaga merr mbështetje nga Jordania

Presidentja Atifete Jahjaga ka marrë mbështetje nga Mbreti Abdullah i Jordanisë, në aspektin ndërkombëtar. Gjatë takimit të saj në Jordani, ajo u angazhua edhe për marrëdhëniet bilaterale.

Lajme

20/02/2014 18:08

Mbretëria e Jordanisë e gatshme të mbështesë Kosovën në konsolidimin ndërkombëtar të saj dhe posaçërisht përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të përgjithshme bashkëpunimi.

Kështu tha Mbreti Abdullah i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, gjatë takimit me Presidentën e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila po qëndron për vizitë në këtë vend.

Presidentja Jahjaga, u prit sot me nderime të larta shtetërore në oborrin mbretëror të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë nga Mbreti Abdullah, me ftesë të të cilit po qëndron në vizitë dyditore.

Me anë të një komunikate për media thuhet se Presidentja Jahjaga dhe Mbreti Abdullah, në një bisedë të gjatë dhe miqësore, theksuan rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve, thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si dhe diskutuan për çështjen e konsolidimit të mëtutjeshëm ndërkombëtar të Kosovës.

“Presidentja Jahjaga e falënderoi Mbretin Abdullah për ftesën për të vizituar Jordaninë dhe mikpritjen e jashtëzakonshme dhe vlerësoi se vizita në Jordani mund të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Presidentja Jahjaga e përgëzoi Mbretin Abdullah për ulësen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, thuhet në këtë komunikatë.

“Ajo tha se Kosova në gjashtëvjetorin e pavarësisë së saj, është konsoliduar si shtet dhe aspiron anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, në veçanti OKB, BE dhe në NATO. Presidentja Jahjaga theksoi se është me rëndësi që edhe KS i OKB-së të vlerësojë të arriturat në Kosovë dhe ta shoh atë si një vend me demokraci të konsoliduar”.

“Duke folur për rëndësinë e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe njohjet e deritashme  të pavarësisë së saj, Presidentja Jahjaga vlerësoi se Jordania mund të ndihmojë në këtë fushë përmes ndikimit që ka në rajonin e Lindjes së Mesme dhe tek ato vende me të cilat ka marrëdhënie të mira bilaterale”.

“Duke theksuar se me Serbinë janë arritur një numër marrëveshjesh gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe mbështetur nga SHBA-ja, Presidentja Jahjaga tha se ato duhet të zbatohen në tërësi dhe se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të ndihmonte në përmbushjen e aspiratave të të dyja vendeve për anëtarësim në BE”.

“Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Jordania ndajnë vlera të përbashkëta kur bëhet fjalë për tolerancën ndërfetare dhe ato duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në kultivimin e këtyre vlerave dhe në përballjen me sfidat që mund të sjellin ekstremizmat në botë”.

“Mbreti Abdullah i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, e vlerësoi të rëndësishme vizitën e Presidentes Jahjaga, që kontribuon në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”.

“Ai tha se vendi i tij është i  gatshëm ta ndihmojë Kosovën në proceset nëpër të cilat ajo po kalon duke e mbështetur në konsolidimin ndërkombëtar të saj dhe posaçërisht përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të përgjithshme bashkëpunimi”.

“Mbreti Abdullah tha seJordania mund të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e shëndetësisë, bujqësisë, të arsimit dhe në atë të sigurisë. Ai shprehu gatishmërinë e tij për të vizituar Kosovën në një periudhë të përshtatshme”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pas takimit me Mbretin Abdullah, është pritur edhe nga kryeministri i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah Ensour, me të cilin vlerësoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe vazhdimit të mbështetjes së Jordanisë për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.