Jahjaga kërkon vëzhgues ndërkombëtarë

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka pritur sot në takim Samule Zbogar, Bernd Borchardt dhe komandantin e KFOR-it, Salvatore Farina. Në këto takime është folur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit. Jahjaga ka njoftuar se ka kërkuar nga Catherine Ashton, që të dërgojë një mision të vëzhguesve për këto zgjedhje.

Lajme

14/05/2014 20:02

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka kërkuar nga BE-ja që të dërgojnë një mision të vëzhguesve për zgjedhjet. Kjo gjë u bë e ditur gjatë një takimi që Presidentja Jahjaga pati me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë, Samule Zbogar.

Presidentja Jahjaga i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton ku i ka kërkuar që të dërgojë vëzhgues, në mënyrë që të ruhet vota e qytetarëve në zgjedhjet e 8 qeshorit, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

Ndërkaq, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Samuel Zbogar, ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të një procesi të rregullt zgjedhor në Kosovë dhe tha se zyra e tij është e gatshme për të përcjellë nga afër këtë proces.

Jahjaga, sot ka zhvilluar edhe takime të ndara me shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt si dhe komandantin e KFOR-it, Salvatore Farina, me të cilët ka biseduar për procesin e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në Kosovë.

\”Komandanti i KFOR-it dhe shefi i EULEX-it theksuan se së bashku me Policinë e Kosovës po i bashkërendojnë punët e tyre në ofrimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, që do të garantojë edhe sigurinë për ta gjatë gjithë procesit zgjedhor\”, thuhet në këtë komunikatë.

\”Presidentja Jahjaga i njoftoi bashkëbiseduesit për vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, më 8 qershor, pas konsultave me të gjitha partitë dhe subjektet politike, me qëllim të gjetjes së një date në kuadër të afateve ligjore dhe që mundëson edhe përgatitjet për mbarëvajtjen e një procesi të rregullt zgjedhor\”.

\”Jahjaga ka thënë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë duhet të jenë demokratike, të ndershme, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, dhe ka thënë se mekanizmat e sigurisë në Kosovë, EULEX, KFOR dhe Policia e Kosovës duhet të garantojnë sigurinë për qytetarët e vendit për një votim të lirë\”.

\”Presidentja Jahjaga ka theksuar se është me rëndësi që i gjithë procesi të jetë i sigurt, që vota e qytetarëve në çdo pjesë të territorit të vendit, përfshirë pjesën veriore të tij, të jetë e garantuar dhe e paprekshme\”.