Jahjaga informon delegacioni rumun me procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur një delegacion nga Rumania, i cili po qëndron në Kosovë për t’u njohur me procesin e shtet-ndërtimit dhe zhvillimet politike e ekonomike në vend.

Lajme

30/03/2015 12:56

Delegacioni rumun, në përbërjen e të cilit ishte senatorja e Senatit rumun, Gabriela Cretu dhe këshilltarë të kryeministrit dhe parlamentit të Rumanisë, po qëndron në Kosovë nën organizimin e British Council dhe Fondacionit për Shoqëri të Hapur, në kuadër të përpjekjeve për të krijuar raporte mes shteteve që nuk ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Presidentja e ka njoftuar delegacionin nga Rumania për përpjekjet e institucioneve të Kosovës që të forcojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit, të ndërtojnë një ekonomi të tregut të lirë dhe të konsolidojnë praninë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke nënvizuar njohjet e pavarësisë së saj.

“Biseduam edhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe rëndësinë që kjo agjendë unifikuese bart për stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Në këtë mes, përmenda edhe rolin konstruktiv që ka luajtur Kosova për të qenë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë Jahjaga.