Jahjaga bisedon me Zbogar për integrim

Presidentja Atifetje Jahjaga priti Përfaqësuesin e BE’së, Samuel Zbogar për të biseduar për proceset politike në vend. Ata biseduan edhe për negociatat për MSA dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Lajme

30/01/2014 22:03

Presidentja Atifete Jahjaga priti Përfaqësuesin Special të BE’së në Kosovë, Samuel Zbogar.

Jahjaga  gjatë këtij takimi ka biseduar shumë çështje që kanë të bëjnë me integrimin e Kosovës në BE, thuhet në një komunikatë të lëshuar Presidenca e Kosovës.

“U bisedua për përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale, konsolidimin e institucioneve të zgjedhura, për negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe reformën zgjedhore në përgatitje të zgjedhjeve parlamentare në vend dhe ecurinë e dialogut me Republikën e Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së”.

“Presidentja Jahjaga shprehu vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha kërkesat që dalin nga negociatat për MSA deri në pranverë, dhe njëkohësisht përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kritereve për të mundësuar sa më shpejt liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që do t’u mundësojë lëvizjen e lirë në shtetet evropiane”.

“Presidentja Jahjaga theksoi se agjenda evropiane është agjendë që bashkon të gjitha komunitetet në Kosovë dhe se i gjithë spektri politik i Kosovës ka qëndrim unik për përfundimin e reformave që do të hapin rrugën e integrimit të Kosovës në BE”.

“Ndërkaq, për zgjedhjet e sërishme në Mitrovicën e Veriut, që do të mbahen me 23 shkurt, Presidentja Jahjaga theksoi nevojën që këto zgjedhje të jenë të lira dhe demokratike dhe të reflektojnë vullnetin e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre legalë dhe legjitimë, në përputhje me ligjet e Kosovës”.