Jahajga kërkon vazhdimin e ndihmave nga BERZH

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Lajme

23/10/2014 13:35

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka thënë se nevojitet një riorientim i rritjes ekonomike drejt burimeve të qëndrueshme, si zhvillimi i kapitalit njerëzor, zhvillimi i sektorit privat dhe resurseve natyrore.

Jahjaga pas takimit që ka zhvilluar të enjten me një delegacion të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka kërkuar ndihmën e mëtutjeshme të të këtij institucioni financiar.

Ajo vlerësoi se këto ndihma mund të jenë të domosdoshme në procesin e privatizimit, në zhvillimin e sektorit privat – duke përmirësuar qasjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në financa – si dhe dhe krijimi të kapaciteteve të reja dhe mbështetjes së investimeve private në sektorin energjetik, thuhet në një komunikatë nga zyra e presidentes Jahjaga.

“Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin e Kosovës me BERZH-in dhe kontributin e këtij institucioni në ofrimin e mbështetjes, këshillimit dhe financimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe posaçërisht të zhvillimit të sektorit privat”, thuhet në komunikatë.

Presidentja Jahjaga dhe anëtarët e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it diskutuan për të arriturat por edhe për sfidat ekonomike dhe zhvillimore të Kosovës.