Jacobson fton komunitetet të votojnë

Ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, i ka ftuar të gjitha komunitetet në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit.

Lajme

05/06/2014 16:14

Në një koment të bërë në rrjetin social Twitter, Jacobson ka shkruar se një pjesëmarrje e tillë është jetike për Kosovën.

Zgjedhjet e lira dhe demokratike do të jenë kusht i vazhdimit të mbështetjes së Qeverisë amerikane në Kosovën, pati thënë ambasadorja Jacobson para disa ditëve.

Në një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ajo ka thënë se është e rëndësishme që votuesit përveç pjesëmarrjes në zgjedhje edhe të denoncojnë problemet që ndodhin gjatë procesit zgjedhor.

Të dielën, më 8 qershor sipas Listës Përfundimtare të Votuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë 1 milion e 782 mijë e 454 emra të votuesve të ndarë në 38 komuna, kurse votuesit e rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të 8 qershorit, janë 33 mijë e 735 votues.