Ja si e ngushëlloi Thaçi xhudisten Kelmendi kur humbi

Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar një moment të paharrueshëm për të. Kur xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi kishte humbur në vitin 2012 një meç në Londër, Thaçi i kishte thënë se edhe ky kishte humbur dy-tre herë në zgjedhje, por kur ka filluar me fitoret atrëherë s’i ka lëshuar më.

Lajme

19/05/2014 20:30

Në shpalosjen e plaprogramit të Partisë Demokratike të Kosovës, të quajtur “Misioni i Ri”, për fushën e sportit, kryeministri Thaçi ka ndarë një kujtim me të pranishmit, shumë nga ta sportistë.

Duke folur për sukseset e trajnerit Driton Kuka dhe xhudistes Majlinda Kelmendi, ai ka treguar një storie kur kjo e fundit nuk ishte edhe aq në momente lumturie.

“Nuk mund të mos e tregoj një ngjarje që e kemi pasur në Londër, në vitin 2012, me Majlindën gjithashtu dhe me zotëri Kukën”.

“Ne ishim së bashku me presidenten Jahjaga në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. Natyrisht, pastaj Majlinda zhvillonte betejat e veta. Ne për ta nderuar, presidentja dhe unë, ishim në mesin e shikuesve, natyrisht si gjithë shqiptarët që e kanë përcjellë”.

\”Dhe, për një moment, nuk e di çfarë ndodhi, ishim favorit, por ndodhi ajo çfarë ndodhi. Dhe, unë në jetën time nuk mund ta harroj atë moment edhe si njeri edhe si mik i juaji, në të njëjtën kohë, si një njeri që i përcjell me emocion të thellë ngjarjet sportive, në veçanti atë ditë kur të gjithë shqiptarët ishim në këmbë për Majlindën”.

“Për një moment ndodhi ajo çfarë ndodhi dhe pas atij zhvillimi shkuam në hotel, ku kam vendosur të shkojmë në hotel për një kafe në mbrëmje me Majlindën dhe zotëri Kukën. Kurrë në jetën time nuk  do t’i harroj ata lot të Majlindës”.

“Ata lot thjesht ishin të forcës, të krenarisë, dhe të mobilizimit për të shënuar fitore”.

“Dhe, në një moment i thash, Majlindë edhe unë i kam humbur në një moment a dy zgjedhjet, por kur i kam fitu më s’i kam lëshu”.

“Nga ai moment edhe Majlinda ka fituar dhe më nuk po ndalet…”.