Ja si e kujtojnë boksierët kosovarë Muhammad Ali-n
Rëndësia e Muhammad Ali-së si një ikonë jo vetëm e sportit, por e kulturës në përgjithësi, është treguar edhe me vet vdekjen e tij.

Lajme
Të gjitha mediat botërore po merren me vetëm një lajm – shuarjen e Muhammad Ali-së.
Për ata që vetëm e kanë shikuar boksin ai ka bërë spektakël në ring dhe i ka kënaqur me përformancë, e të tjerë që i kanë takuar botës së boksit, Ali ka qenë shembulli për t’u ndjekur.
“Ka qenë idhull për ne, jemi munduar të marrim shembull prej ti dhe ta kopjojmë edhe pse ka qenë e vështirë të kopjohet, sepse ishte artistë në ring”, ka thënë për Klankosova.tv ish-boksieri i famshëm shqiptar dhe sekretari gjeneral i Federatës së Boksit të Kosovës, Mehmet Bogujevci.
“Nuk ka bërë vetëm boks, por art brenda boksit”, kujton Bogujevci.
Ali-në Bogujevci thotë se e njohu qysh kur triumfoi në Olimpiadën e Romës më 1960, në peshat e lehta.
Nga atë herë, arti i tij në ring nuk ishte lënë pa u përcjellë kudo ku boksonte, edhe pse, kjo përbënte sakrificë.
“Në atë kohë nuk kemi pasur të gjithë televizor në shtëpi, kanë qenë shumë të rrallë. Duhej organizim dhe ne shkonim kudo ku mund të gjenim një televizor dhe e shikonim në orët e vona të natës, madje edhe deri në mëngjeset e hershme”.
Boksieri kosovar ndjehet falënderues ndaj Ali-së edhe për diçka tjetër.
“Ai e ka popullarizuar boksin e edhe çmimin ia ka rritur boksit. Për herë të parë flitej për pagesa milionëshe, para tij kjo as që imagjinohej”.
Madje Bogujevci njëherë kishte fatin edhe ta shihte idhullin e tij, në vitin 1980 në Neë York kur prezantonte Jugosllavinë, “por nuk e kam takuar personalisht”.
Për ta takuar fenomenin nga i cili marrosej bota, fatin e kishte një tjetër boksier kosovar.
Olimpisti Aziz Salihu tregon për Klankosova.tv si iu bë ëndrra realitet.
“Jam takuar personalisht me të në Olimpiadën e Los Anxhelosit në vitin 1984. Madje kam folur me të. Ishte moment i jashtëzakonshëm për mua, sepse pas meçit, të cilin unë e humba, ai më uroi për ndeshjen dhe ma zgjati dorën”.
“Ai ishte idoli im, por edhe i të gjithë neve”, tregon Salihu derisa mundohet të kujtojë sekuenca të lëvizjeve të Ali-së në ring.
“Ishte i lindur për këtë sport, si për nga stili i të boksuarit dhe po ashtu për qëndrimin e tij. Ka qenë inspirim për çdo boksier të ri dhe kur dëgjova për vdekjen e tij më të vërtetë u preka shumë”.
“Por, sëmundja që e ka pasur ai e ka munduar shumë dhe mosha po ashtu e ka bërë të veten”.
“Gjithsesi, ai do të mbetet gjithmonë një ikonë e boksit por edhe e sportit botëror në përgjithësi”.
“Ali nuk ban ma nana”, thotë Salihu duke profetizuar se s’do të ketë një tjetër boksier që do të kap nivelin e luftës me grushte me të cilin dikur magjepsi botën Muhammad Ali.