Ja sa do të rriten faturat e ujit për qytetarët dhe bizneset
Autoriteti i Rregullatorit për Shërbimet e Ujit ka dhënë detaje lidhur me tarifat e faturave të cilit do t’i shkojnë qytetarëve dhe bizneseve më të larta që nga muaji janar. Drejtori i Departamentit të Tarifave, Refik Ramaj, deklaron se për periudhën tarifore 2026-2028, do të ketë rritje të tarifave për konsumatorët shtëpiak dhe jo-shtëpiak. Sipas…
Lajme
Autoriteti i Rregullatorit për Shërbimet e Ujit ka dhënë detaje lidhur me tarifat e faturave të cilit do t’i shkojnë qytetarëve dhe bizneseve më të larta që nga muaji janar.
Drejtori i Departamentit të Tarifave, Refik Ramaj, deklaron se për periudhën tarifore 2026-2028, do të ketë rritje të tarifave për konsumatorët shtëpiak dhe jo-shtëpiak.
Sipas tij, tarifat për amvisëri do të rriten për 39 për qind për m3, ndërsa për konsumatorët jo-shtëpiak 29 për qind për m3 .
Ramaj në një intervistë për KosovaPress, thekson se rritja e tarifave është e ndikuar nga disa faktorë kryesorë, siç është shtrenjtimi i energjisë elektrike, zvogëlimi i normës së subvencionimit dhe inflacioni.
Ai thotë se kërkesat fillestare të kompanive për rritje të tarifave ishin edhe më të larta, deri në 100%, por janë aplikuar norma shkencore dhe kritere profesionale për të arritur te struktura e re e tarifave.
“Tarifat e vjetra për konsumatorë shtëpiak kanë qenë 0.38 centë, kurse tani do të ketë një rritje. Për procesin tarifor 2026-2028 do të ketë një rritje prej 39 për qind për amvisëri, ndërkaq 29 për qind për konsumatorët jo shtëpiak. Mesatarja e rritjes konsumatorë shtëpiak dhe jo-shtëpiak është 34 për qind. Tarifat për ujërat e ndotura, sektori shtëpiak 25 për qind, po ashtu edhe ai jo-shtëpiak, mesatarja natyrisht 25 për qind. Çfarë ka ndikuar në këtë rritje prej 34 për qind, së pari ka ndikuar rritja enorme e energjisë elektrike, e cila është 150 për qind apo 2.5 herë është rritur. Siç është e ditur në bazë të kalkulimeve tona, pjesëmarrja e energjisë elektrike në strukturën e shpenzimeve operative është 20 për qind, kur kjo shumëzohet me 150 me këtë rritjen, del 30 për qind. 30 për qind është rritja vetëm për energji elektrike….Faktori i dytë është zvogëlimi i normës ndër subvencionimit…Faktori i tretë është inflacioni”, thekson Ramaj.
Duke folur për tarifat sipas qyteteve, Ramaj tha se në Prishtinë çmimi për ujë ka kaluar nga 0.45 në 0.63 euro, ndërsa për ujërat e ndotura nga 0.08 në 0.12 euro.
“Në Prishtinë ka qenë 0.45 për ujë, tash është 0.63. Për ujerat e ndotura ka qenë 0.08, është bërë 0.12, Prizreni ka qenë 0.40 është bërë 0.56, për ujërat e ndotura 0.15, është bërë 0.19. Peja ka qenë 0.28 për ujë, është bërë 0.39…Gjakova ka qenë 0.39 tash është 0.53…_(Për biznese)për Prizrenin për biznese është 0. 42, nga 0.32, për Pejën ka qenë 0.39, tash 0.51, për Mitrovicën ka qenë 0.55, 0.69, Gjakova ka qenë 0.55 tash 0.67”, shprehet ai.
Ramaj tha se kompanitë rajonale të ujësjellësit kishin paraqitur kërkesa shumë më të larta për rritje të tarifave, në disa raste deri në 100 për qind.
“Kompanitë me aplikacionin tarifor kanë ardhë me kërkesa shumë më të lartë, disa kanë kërkuar 100 për qind rritjen e tarifave, disa më pak, por ne kemi aplikuar norma shkencore, kritere profesionale, kemi ardhe deri tek kjo strukturë”, thotë Ramaj.
Ramaj nënvizon se edhe me këtë rritje, tarifat e Kosovës mbeten më të ulta në rajon.
Sipas tij, vetëm Mali i Zi është afër nivelit tonë, kurse vendet e tjera kanë çmime shumë më të larta./kp