Ja kush po largohet nga AAK, sipas këshilltarit të Haradinajt

Lidhja Demokratike të Kosovës ka paralajmëruar për të martën (nesër) një konferencë për media. Sipas disa shkrimeve thuhet se në këtë konferencë do të bëhet publik kalimi i disa degëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në LDK.

Lajme

02/03/2015 21:04

Mirëpo, në ato shkrime nuk është specifikuar se cilat degë dhe nga clat komuna kanë vendosur të kalojnë në LDK.

I kontaktuar nga Indeksonline, Avni Arifi, këshilltari i lartë i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk e di se për cilat degë bëhet fjalë dhe se nuk mund ta konfirmojë kush do të largohet nga AAK-ja.

“Ne me vendimin që kemi marrë për shpërbërje të strukturave dhe me shkuarjen në zgjedhje e kemi bërë sepse në disa degë në komunat e Kosovës, në zgjedhjet e fundit kemi pasur rezultate zhgënjyese”, ka thënë Arifi.

Ai më pas ka theksuar se disa anëtarë të degëve të AAK-së të cilët në zgjedhjet e kaluara kanë pasur rezultate të dobëta, po e shfrytëzojnë kohën që të largohen nga AAK-ja para se ti largojë procesi zgjedhor.

“Shembull ishte Vitia që tradicionalisht kemi pasur mbi 2000 vota por në zgjedhjet e fundit kishim rënie në 400-500 vota. Ata të cilët sigurt do të largoheshin shfrytëzuan këtë kohë parazgjedhore se kinse pe lëshojmë AAK-në”, është shprehur Arifi për Indeksonline.