“Ja ka drejtuar revolen në ballë stafit tonë” – detaje se si u sulmuan punëtorët e KRU “MITROVICA” në Pantinë të Vushtrrisë
Në terren dolën paraditen e së mërkurës. Por, shkyçja e një konsumatorit për shkak të borxhit, gati se u kushtoi me jetë tre punëtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”. E gjithë ngjarja ndodhi këtu në fshatin Pantinë të Vushtrrisë.Ndërsa detaje për rastin, kanë dhënë nga KRU “Mitrovica”. Këta të fundit thonë se 41 vjeçari…
Lajme
Në terren dolën paraditen e së mërkurës. Por, shkyçja e një konsumatorit për shkak të borxhit, gati se u kushtoi me jetë tre punëtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.
E gjithë ngjarja ndodhi këtu në fshatin Pantinë të Vushtrrisë.Ndërsa detaje për rastin, kanë dhënë nga KRU “Mitrovica”.
Këta të fundit thonë se 41 vjeçari pas shkyçjes ua preu rrugën ekipit të tyre.
“Stafi jonë e ka kryer detyrën e vet kanë vazhduar se kanë pasur edhe dy tre vizita të tjera në fshat. Në rrugë e sipër pra gjatë kthimit për në zyrë i njëjtit ju ka dal në rrugë, ju ka blloku rrugën me automjetin e tyre e ka nxjerrë revolen e ka kërcënuar stafin duke ja drejtuar revolen në ballë stafit tonë, por fatmirësisht nuk ka ardh deri te më e keqja. E ka shkrepë revolen, por mbi kokën e stafit. Popullorqe i thojnë kësaj pune, për ne ky është i vdekur. Stafi jonë është i vrarë pse Zoti nuk ka dasht në këto momente me i marrë është muhabet tjetër” u shpreh Bashkim Kurti, drejtor i KRU “Mitrovica”, raporton TEVE1.
Shqetësimi që ua solli ky rast punëtorëve, bëri që një ditë më pas të mos dalin në punë.
“Punëtorët janë shumë të shqetësuar se është shumë e vështirë me ta drejtur dikush revolen në ballë. Ne me aq sa kemi pasur mundësi kemi vepruar, i kemi liruar për me shkuar në shtëpi e me u rehabilituar deri të hënën. Prej të hënës e tutje e shohim a kanë nevojë për ndonjë pushim shtesë apo tretman”, tregoi ai.
Deri në mesditën e së enjtes, personi i dyshuar për këtë rast, vazhdon të jetë në kërkim nga organet e rendit.
Kurse, sipas Nasuf Aliu, drejtor komercial në KRU “MITROVICA”, ky nuk ishte rasti i vetëm ku borxhlinjtë u shkyçen nga rrjeti i ujësjellësit të mërkurën.
“Shkyçje për shkak të borxhit zakonisht sillen 70-80, por kemi pasur rast që kemi bërë deri në 118 shkyçje brenda muajit. Fatkeqësisht kemi konsumator që nuk i përgjigjet faturës që mbrapa saj shënon çdo herë afati kohor që duhet të i përgjigjet pagesës brenda 15 ditësh”, u shpreh Aliu.
Ndryshe, nga Policia e Kosovës u tha po ashtu se pas të shtënës, i dyshuari i ka ofenduar dhe kanosur viktimat dhe është larguar në drejtim të panjohur.