Ja emrat e super-menaxherëve më të paguar në Kosovë

Sipas deklarimit të pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, në Kosovë janë katër super drejtor menaxhues të paguar. Pagat e tyre janë prej mbi 2600 deri në rreth 6000 euro.

Lajme

21/07/2014 15:49

Në Kosovë nuk është as presidentja e as kryeministri ndër personat më të paguar.

Njeriu i cili menaxhon me kontributet pensionale të kosovarëve, përfshirë edhe udhëheqësit e shtetit paguhet shumë më shumë se sa e para e vendit, Atifete Jahjaga, e cila merr pagë mujore prej 2873.20 euro e brenda një viti paguhet 34478.4 euro.

E kryeministri Hashim Thaçi ka pagë dukshëm më të ulët se presidentja. Madje ai ka pagën më të ulët edhe se katër top menaxherët disa kompanive publike e institucioneve të pavarura financiare në Kosovë.

Thaçi ka pagë mujore prej 1443.16 euro, kurse brenda vitit merr 17318 euro.

Drejtori menaxhes i Trusti-t, Ardian Zalli, ka një pagë mujore prej 5958.33 euro, apo brenda një viti merr pagë në total prej 71500 euro.

E kryeshefi ekzekutiv i Postë Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi, ka pagën mujore prej 4150 euro, që në total i bie se brenda vitit për këtë punë merr 49800 euro, transmeton Telegrafi.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza, renditet i treti për ka pagesa. Ai në muaj paguhet 4140 euro, apo brenda një viti 49680 euro.

Listën e katër top menaxherëve më të paguar në vend e mbyll drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj, i cili merr pagë mujore prej 2637 euro, në konton e të cilit gjatë një viti “deponohen” hiç më pak se 31644 euro.