Ja çka u gjet në Shtëpinë e Ukë Rugovës

Në dokumentin e Prokurorisë Speciale thuhet se në Rezidencën e Ish Presidentit Rugova, e cila u bastis për ta hetuar Ukën, u gjetën mbi 300 dokumente: polica sigurimi, polica udhëtimi, pasaporta, certifikata të lindjes, sigurime shëndetësore.

Lajme

06/02/2014 22:40

Policia nuk doli duarthatë nga Rezidenca e Ish Presidentit Ibrahim Rugova, të mërkurën, kur e bastisi atë, nisur nga dyshimet e bazuara për përfshirjen në krim të organizuar për shitblerje vizash të Ukë Rugovës.

Në dokumentin e Prokurorisë Speciale thuhet se në Shtëpinë e Ukë Rugovës janë gjetur mbi 300 dokumente: polica sigurimi, polica udhëtimi, pasaporta, certifikata të lindjes, sigurime shëndetësore, të cilat demonstrojnë një lidhje me aktivitetet e Grupit të Organizuar Kriminal të përbërë prej dhjetë vetash.

Në bastisjen e pronës së Ukë Rugovës, siç shkruan në Dokumentin e Prokurorisë Speciale, janë kapur këto dokumente: 36 zarfe të dokumenteve të policave të sigurimit shëndetësor, 70 dokumente të policave të sigurimit për udhëtim, letra të ndryshme nga Ukë Rugova për ish ambasadorin italian që kërkon miratim për lëshimin e vizave për miqtë dhe familjen, një numër të pasaportave valide të individëve të panjohur, dokumente tjera të tilla si certifikata të lindjes, dokumente bankare dhe 200 dokumente të sigurimit shëndetësor.

“Të gjitha dokumentet e mësipërme demonstrojnë një lidhje me aktivitetet e Grupit të Organizuar Kriminal. Për më tepër janë konfiskuar një numër i plotësuar i aplikacioneve për viza Schengen me fotot e aplikantëve. Më tej, një letër u kap me datë 3 janar 2014 për Faëzi Habib, që kërkon miratimin e tij për 300 viza.”, thuhet në Dokumentin e Prokurorisë Speciale.

Po ashtu, në këtë dokument, thuhet se Ukë Rugova është i dyshuar për drejtimin e operacionit, mbikëqyrjen e marrëdhënieve të Izet Beqirit me Florjan Petanin dhe procedimin e vizave ne Ambasadë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për shqiptimin e masës së paraburgimit prej një muaji për Ukë Rugovën, Izet Beqirin dhe Florian Petanin, ndërsa të tjerëve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak në afat prej 30 ditësh.