Ja çfarë roli i ofron Rusia Leonardo DiCaprio-s
Studioja ruse e filmave “Lenfilm” i është përgjigjur deklaratës së aktorit Leonardo DiCaprio, i cili ka shprehur dëshirën të luajë një figurë publike ruse.

ShowBiz
Studioja që ndodhet në Shën Petersburg i ka ofruar DiCaprio-s mundësinë që të luajë rolin e Leninit në një film në lidhje me revolucionin, pasi aktori dha një intervistë ku ai shprehu interesin për portretizimin e Lenin-it, Rasputin-it ose Presidentit rus, Vladimir Putin.
“Është gjithmonë interesante të bësh filma të tillë. Leonardo DiCaprio është krahasuar shpesh me Leninin në rininë e tij. Ne kemi pamje të mjaftueshme për të rikrijuar epokën e revolucionit”, tha zëdhënësi i “Lenfilm” Valeriy Karlov për “Baltika FM”.
Studioja “Lenfilm” është më e vjetra në Rusi, e cila i ka rrënjët në vitin 1914, kur një komision ushtarak lokal në Shën Petersburg filloi të prodhonte filma. Në vitin 1918, studioja u zgjerua për t’u bërë Komiteti i Filmave të Shën Petersburg-ut dhe hapi 68 kinema në qytet. Pas dy dekadash ajo u riemërua “Lenfilm”.
Të dielën DiCaprio, i cili ka marrë kohët e fundit kandidaturën e tij të gjashtë për “Oskar” për rolin e tij në filmin “The Revenant”, i tha gazetës gjermane “Welt” në Sonntag se ai do të donte të luante rolin e Vladimir Putin-it në një film. Ai u shpreh se roli i Leninit apo Rasputinit është gjithashtu interesant.
“Mendoj se duhet të ketë më tepër filma për historinë e Rusisë, pasi Rusa ka kaq shumë histori që kanë një cilësi shekspiriane. Kjo është shumë mahnitëse për një aktor”, u shpreh DiCaprio./shekulli.