Izraeli vret 16 palestinezë, ndër të cilët edhe një liderin të Hamasit

Operacion i gjerë i sigurisë nga ana e izraelitëve, kundër grupit të militantëve të Hamas, “me shumë mundësi nuk do të përfundojë pa kaluar disa ditë”, tha ministri i Mbrojtjes, Moshe Ya’alon, të martën.

Bota

08/07/2014 19:16

Zhvillimet e fundit duket se konfirmojnë frikën se konflikti do të vazhdojë të përshkallëzohet. “Nuk do të tolerojmë hedhjen e raketave, ndaj jemi të përgatitur të zgjerojmë operacionin dhe t’i vendosim Hamasit një taksë të rëndë”, tha ai, transmeton Top Channel.

Militantët kanë hedhur më shumë se 130 raketa nëpër zonat me civilë izraelitë gjatë natës të së hënës, bëri të ditur ushtria izraelite të martën. Në kundërpërgjigje, Izraeli ka “shënjestëruar rreth 150 zona terroriste në Gaza”, u bë e ditur nga forcat izraelite të mbrojtjes në Twitter.

Të paktën 16 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, që prej nisjes së tyre natën e së hënës, thonë burimet palestineze. Mes tyre është edhe Mohammad Sha’aban, një lider i krahut të militantëve të Hamasit. Izraeli konfirmoi se Sha’aban, “një terrorist i lartë i Hamasit”, është vrarë.

Një tjetër militant ka mbetur i vdekur nga një sulm ajror i Izraelit në një fushë të hapur në Gaza. 10 persona janë vrarë gjatë së martës, teksa po formonin një “mburojë njerëzore” në çatinë e një shtëpie, që i përkiste anëtarëve të krahut luftarak të Hamasit. Dy prej tyre ishin fëmijë, bëjnë të ditur burimet mjekësore palestineze.

Shtëpia gjendej shumë pranë një tjetër shtëpie, që i përkiste po të njëjtëve anëtarë të Hamasit, që u qëllua edhe gjatë natës të së hënës, thanë burime palestineze.

Ushtria izraelite tha se Hamasi “po përdor gjithashtu palestinezët si mburoja njerëzore teksa lëshojnë raketa drejt Izraelit”. Në postimin e tyre përfshihej edhe një foto e asaj që Izraeli e quan si momenti “i lëshimit të një rakete nga Hamas nga një zonë e banuar me civilë”.

Operacioni për Mbrojtjen e Kufijve, nga ushtria izraelite kundër Hamasit, ka hyrë në një “fazë substanciale”, teksa sulmet ajrore po godasin rreth 50 shënjestra, përfshi shtëpi të militantëve, si dhe streha ushtarake, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Peter Lerner, për CNN.

Kabineti qeveritar izraelit autorizoi të martën ushtrinë të grumbullonte 40 mijë trupa rezervë. Gjatë një ofensive të ngjashme në Gaza, në nëntor të vitit 2012, qenë ftuar rreth 30 mijë rezervistë.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas i bëri thirrje Izraelit që urgjentisht të ndalë sulmet ajrore, duke paralajmëruar se operacioni mund të fusë rajonin në një gjendje destabilizimi. (Top Channel)