Ivanovic i pakënaqur

Ish zyrtari i Qeverisë së Serbisë, tashi pjesëmarrës në zgjedhjet lokale të Kosovës, ka shprehur pakënaqësi me favorizimet politike që po i bën Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, si dhe me ndalesat që po i bëhen atij për vizita në Kosovë.

Lajme

03/10/2013 10:53

Kandidati  për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Oliver Ivanovic, ka thënë se ndalimi i vizitave të kryeministrit Ivica Dacic në Kosovë gjatë fushatës është një veprim jodemokratik.

Në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, Kryetari i “Iniciativës Qytetare Serbia, Demokracia, Drejtësia”, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës do të ketë “pasoja të paparashikuara” në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Por, ai ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë së Serbisë ndaj subjekteve politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës, pasi që Beogradi po favorizon “Listën Qytetare Serbe”.

“Apelojmë tek Dacic që të mos krijojë përçarje në mes të serbëve të Kosovës duke i dhënë mbështetje vetëm një liste”, ka thënë Ivanovic.

Ai shtoi se të gjithë serbët që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor janë “qytetarë lojalë të Serbisë”, të cilët e kanë pranuar ftesën e Qeverisë së Serbisë “për të përmirësuar pozitën e popullit serbë në Kosovë”.

Pas kërcënimit të kryeministrit të Serbisë Ivica Dacic e do t’i ndërpresë bisedimet me Kosovën në rast se nuk lejohet të hyjë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore, ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj se vendimi i për këtë ndalim është i prerë.