#IsupportKosova

Mos merrni n’thua, ju 'subjektet' politike!

Lajme

26/07/2014 12:10

Humbjet e jetëve të pafajshme, ngjarjet e dhunshme, përfshi këtu edhe luftërat, kudo në botë, janë të papranueshme, të dhimbshme dhe të dënueshme, të paktën shpirtërisht, për secilin njeri normal.

E ndjejmë humbjen e jetëve sidomos ne shqiptarët, pasi kemi përjetuar masakra të tmerrëshme, vrasje, djegie, burgje e përndjekje, prej Preveze e deri në Nish.

Qytetarët, disa që nuk mendojnë politikisht, janë të lirë të reagojnë përmes rrjeteve sociale.

Por për zhvillimet mes Palestinës dhe Izraelit, subjektet politike duhet të kenë kujdes të mos marrin n’thua, pasi janë institucionet e shtetit ato që e kryejnë këtë përgjegjësi politike.

Pa dashur të pajtohem me dhunën në Gaza, assesi, dhe as të bëj krahasime me të kaluarën e Kosovës dhe të Palestinës, po ua rikujtoj disa partive, pse jo edhe qytetarëve, qëndrimin e politikës së jashtme palestineze ndaj Kosovës. 

“Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë, ndërsa Gaza dhe Bregu Perëndimor asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e Izraelit. Tokat palestineze janë territore të okupuara, ndërsa Serbia kurrë nuk e ka okupuar Kosovën” –  Mohamed Nabhan, ambasador i Palestinës në Serbi.

Nobhan e njeh mirë ish-Jugosllavinë, ka bërë karrierë të gjatë në Serbi dhe duhet ta dijë historinë e Ballkanit, e po ashtu vuajtjet e shqiptarëve, masakrat, vrasjet e fëmijëve, grave shtatzëna dhe civilëve nga forcat policore dhe ushtarake serbe. Por megjithëkëtë, ai nuk e ndjen nevojën të shpreh keqardhje. Përkundrazi!

Po ashtu, t’ua kujtoj se zyrtarët e Kosovës të paktën tregohen të kujdesshëm.

Pavarësisht ndihmës që izraelitët, kudo në botë, dhanë për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, e që ne shqiptarët e kemi mirë të njohur, (edhe pse Izraeli për shkak të zhvillimeve të brendshme ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës), asnjë zyrtar i Republikës së Kosovës, asnjëherë, nuk është deklaruar se Palestina është pjesë e Izraelit. 

Konflikti në Gaza nuk është i djeshëm, por daton prej shekujsh, por sa për dijeni të opinionit, as presidenti palestinez, Mahmoud Abbas nuk ka reaguar ende për zhvillimet tragjike në këtë pjesë të Palestinës.