Isufi i AAK-së: Ka takime të opozitës për formimin e qeverisë së re

Partitë opozitare nga legjislatura e kaluar, PDK, LDK dhe AAK kanë komunikuar lidhur me mundësinë e formimit të qeverisë nga opozita. Ndonëse këto takime nuk janë zyrtare, Ahmet Isufi nga AAK ka thënë se ka takime përmes njerëzve që janë në strukturat udhëheqëse të partive. Ai ka thënë se këto takime nuk janë zyrtare ku…

Lajme

14/03/2025 08:36

Partitë opozitare nga legjislatura e kaluar, PDK, LDK dhe AAK kanë komunikuar lidhur me mundësinë e formimit të qeverisë nga opozita.

Ndonëse këto takime nuk janë zyrtare, Ahmet Isufi nga AAK ka thënë se ka takime përmes njerëzve që janë në strukturat udhëheqëse të partive.

Ai ka thënë se këto takime nuk janë zyrtare ku diskutohet për ndarjen e përgjegjësive.

“Nuk ka pas takime të drejtpërdrejta, zyrtare që të ndahen përgjegjësitë qeverisëse, po që komunikim normalisht që ka, përmes njerëzve që janë në struktura udhëheqëse komunikojmë. Por nuk ka takim zyrtar për të ndarë përgjegjësitë, pasi ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve”, ka thënë Isufi, teve1.

Ai ka thënë se AAK nuk do të jetë pengesë për formimin e qeverisë nga opozita dhe se nuk këmbëngulin me çdo kusht për postin e kryeministrit.

“Ne e kemi theksuar se nuk jemi shumë të interesuar që me çdo kusht ta kemi kryeministrin, sepse ne duam një qeveri funksionale. Edhe z.Haradinaj e ka shpreh se nuk dëshiron të marrë përgjegjësi kryesor, vetëm nëse pajtohen partnerët politik, normalisht përgjegjësisë nuk i ka ikur dhe nuk i ikë, por nuk do të bëhemi pengesë e një koalicioni të opozitës që do të mund ta udhëhiqte vendin”, ka thënë Isufi.

Ndryshe rezultati preliminar i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk i mundëson asnjë partie ta formojë qeverinë e vetme. Ndonëse VV ka 48 ulëse në Kuvend, Kurti është shprehur i bindur se qeverinë e re do ta drejtojë Vetëvendosje dhe ai si kryeministër.

Por, partitë opozitare janë shprehur se nuk do të bëjnë koalicion me Vetëvendosjen.