Ismaili: Do të blej 100 autobusë të rinj, Trafiku Urban do të jetë pa pagesë për qytetarët

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili, ka thënë se një nga planet e tij për kryeqytetin është edhe zgjidhja e problemit të trafikut të stërngarkuar në kryeqytet. Ismaili, në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ka deklaruar se do të investojë në blerjen e 100 autobusëve të rinj, dhe se do ta…

Lajme

03/09/2025 09:11

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili, ka thënë se një nga planet e tij për kryeqytetin është edhe zgjidhja e problemit të trafikut të stërngarkuar në kryeqytet.

Ismaili, në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ka deklaruar se do të investojë në blerjen e 100 autobusëve të rinj, dhe se do ta hapë rrugën “Xhorxh Bush” sërish për qarkullim.

I njëjti shtoi se të gjitha këto mendon t’i bëjë në 18 muajt e parë të mandatit të parë, nëse arrin të jetë në krye të Prishtinës.

“Po e lidhi me të kaluarën, kur jam bërë ministër i Shëndetësisë më kanë thënë se pse e more këtë dikaster sepse nuk rregullohet. Ne nuk guxojmë të pranojmë një arsyetim kur të gjithë përreth nesh qytetet shtetet e kanë përmirësuar trafikun e neve na ka shkuar duke na u përkeqësuar”.

“Është e pazakontë se çfarë po ndodh në Prishtinë, duhet të investohet. Në dhjetë vitet e fundit nuk është blerë asnjë autobus i ri në Prishtinë, duhet të ketë edhe 100 autobusë të rinj. Në Prishtinë duhet të hapet rruga ‘Xhorxh Bush’, pra ajo rrugë që e ka bllokuar trafikun duhet të hapet. Ajo është një arterie e rëndësishme e qytetit që është mbyllur pa rrugë alternative, është bllokuar kryeqyteti pa menduar zgjidhjet”, ka thënë Ismaili.

Ismaili theksoi se Trafiku Urban do të jetë pa pagesë për qytetarët, dhe se do të jetë një korsi e ndarë për qarkullimin e autobusëve.

“Poashtu, duhet të bëhet edhe korsia e ndarë për autobus që secili autobusë duhet të vijë brenda 7 minutave, duhet të rregullohet qendra për menaxhimin e trafikut ne jemi i vetmi kryeqytet që nuk e kemi këtë. Ka hapa të ndryshueshëm dhe intervenime menaxheriale që jetën e bëjnë më të lehtë në Prishtinë”.

“Prishtina duhet të nxitet në përdorimin e Trafikut Urban, unë kam analizuar që Trafiku Urban të jetë pa pagesë, e kam bërë planin financiar e cila mbështet përmes Prishtina Parkingut, edhe të pesë parkingjeve që do të bëhen në hyrje të Prishtinës”, tha Ismaili.

Ismaili tha se analiza e tij për trafikun në Prishtinë është e mirë dhe e realizueshme.