ISIS mobilizon tërë Ballkanin

Maqedonia është shteti i radhës, pas Kosovës, Shqipërisë e vendeve tjera në Ballkan, ku autoritetet e sigurisë, kanë arrestuar persona të dyshuar për përfshirje në terrorizëm dhe radikalizëm.

Lajme

07/08/2015 08:20

Të enjten (dje) janë arrestuar nëntë persona të cilët dyshohen se janë të përfshirë në strukturat ekstremiste e terroriste të “Shteti Islamik” në Siri e Irak (ISIS), ndërsa është në kërkim edhe të 27 personave të tjerë, bëjnë të ditur autoritetet policore maqedonase.

Në mesin e të arrestuarve mësohet se është Rexhep Memishi, imam dhe ligjërues i Xhamisë në Tutunsuz në Gazi Babë.

Ky aksion thuhet se është ndërmarrë kundër personave, të cilët kanë qenë të përfshirë në luftën e Sirisë dhe Irakut, por që edhe kanë nxitur dhe rekrutuar persona të caktuar për të marrë pjesë në luftërat jashtë vendit. “Të arrestuarit akuzohen për pjesëmarrje në formacione ushtarake jashtë vendit”, është shprehur zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, Ivo Kotevski.

Operacioni në Maqedoni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit në Kumanovë, Shkup, Strugë, Tetovë e Gostivar, ku janë kryer kontrolle edhe në objekte fetare që veprojnë jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë.