Ishte ndaluar për dhunë në familje por vrau veten brenda stacionit policor në Suharekë, Prokuroria jep detaje-ka edhe suspendime

Një ngjarje e rëndë u raportua të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit, në stacionin policor të Suharekës. Një person i dha fund jetës së tij, duke u vetëvarur brenda hapësirave të mbajtjes. Ai po mbahej brenda kësaj hapësirë pasi që ishte arrestuar dhe ndaluar për veprën “dhunë në familje”. Në lidhje me…

Lajme

04/07/2025 13:05

Një ngjarje e rëndë u raportua të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit, në stacionin policor të Suharekës.

Një person i dha fund jetës së tij, duke u vetëvarur brenda hapësirave të mbajtjes.

Ai po mbahej brenda kësaj hapësirë pasi që ishte arrestuar dhe ndaluar për veprën “dhunë në familje”.

Në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Prizren- të cilët kanë konfirmuar rastin.

Nga Prokuroria u tha se rasti në fjalë është duke u trajtuar si “hetim i vdekjes” dhe se personi në fjalë ishte ndaluar më parë për dhunë në familje.

“Lidhur me rastin, mund të konfirmojmë se rreth orës 03:40 min është raportuar një rast i dyshuar vetëvrasjeje në dhomat e ndalimit në stacionin policor në Suharekë. Personi ishte i ndaluar nën dyshimin për dhunë në familje”,u tha nga Prokuroria.

Gjithashtu ndër të tjerash u tha se i njëjti ishte i njohur për organet e rendit dhe se detaje të tjera në lidhje me rastin do jepen pas përfundimit të procedurave përkatëse.

“Rasti është duke u trajtuar si “hetim i vdekjes” dhe hetimet janë në zhvillim. I njëjti ishte i njohur për organet e rendit edhe për raste të tjera të mëparshme. Më shumë detaje do të ndahen pas përfundimit të procedurave përkatëse”.

E në lidhje me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës tanimë ka ndërmarrë disa hapa…

IPK ka njoftuar se kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur një hetim të plotë, ku si masë paraprake është marrë vendim për suspendimin e përkohshëm të tre zyrtarëve policorë.

“Po ndërmarrim veprime hetimore…IPK ka dalë në terren dhe rasti po trajtohet si hetim i vdekjes. Ajo që duhet të konfirmoj është se IPK i ka suspenduar 3 zyrtarë përkohësisht por në aspektin penal nuk kemi ndonjë vendim sepse nuk kemi provë konkrete që e vërteton përfshirjen e zyrtareve përveç përfshirjeve se mund të ketë neglizhencë”, u tha nga Prokuroria.

Kurse Inspektorati Policor njoftoi se kërkesa për suspendim mbështetet në rrethanat e krijuara nga vdekja tragjike.

“Inspektorati Policor i Kosovës bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për të zyrtarë policorë (një rreshter dhe dy zyrtarë policorë), të gjithë punonjës në Stacionin Policor në Suharekë, Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren. Kjo kërkesë për suspendim përkohshëm dhe në interes të hetimit, mbështetet në rrethanat e krijuara nga vdekja tragjike e një të ndaluari si i dyshuar për një rast të dhunës në familje e i cili sipas të dhënave dhe hetimeve preliminare, dyshohet se është vetë-ngulfatur brenda dhomës së ndalimit në stacion policor.Bazuar në pozitat dhe përgjegjësitë konkrete të zyrtarëve në fjalë, dhe nga veprimet e ndërmarra hetimore, në këtë fazë ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimet apo mosveprimet e tyre nga zyrtarët policorë mund të ketë pasur neglizhencë të mundshme në përmbushjen e detyrave zyrtare, veçanërisht në aspektin e garantimit të sigurisë së personit të ndaluar”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për lajmi.net.

Sipas IPK-së “suspendimi i përkohshëm paraqet masë të përkohshme mbrojtëse, në funksion të dhe interes të garantimit të integritetit të hetimit që po zhvillohet lidhur me këtë rast, si dhe të shmangies së çdo ndikimi të mundshëm në procesin hetimor”.

IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast që po trajtohet në këtë fazë si hetim i vdekjes.

E mëngjesin e sotëm në media u raportua rasti i rëndë që ndodhi në Suharekë- derisa u theksua se personi që i dha fund jetës së tij brenda qendrës së ndalimit ishte 46 vjeçare.

Nazif Kololli është viktima në këtë rast- i cili është vetë ngulfatur gjatë qëndrimit në ndalim.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zyrtarëve policorë dhe ekipit të emergjencës, ai nuk ka arritur të mbijetojë, dhe vdekja e tij është konstatuar në vend nga mjeku kujdestar.

Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të ndriçuar plotësisht ngjarjen./Lajmi.net/