“Ishte errësirë dhe kurth” – rrëfimi i policit Halim Behramaj për natën kur u vra Afrim Bunjaku në Banjskë
Në Pallatin e Drejtësisë po vazhdon edhe sot seanca për rastin “Banjska”. Aty dëshmoi zyrtari policor, Halim Behramaj. Ai ka treguar çfarë ndodhi më 24 shtator të vitit 2023, kur rreth orës 02:00, përmes radiolidhjes nga njësia e kufirit, policët kishin pranuar informatë se në fshatin Banjskë janë vendosur barrikada. Në Pallatin e Drejtësisë ka…

Lajme
Në Pallatin e Drejtësisë po vazhdon edhe sot seanca për rastin “Banjska”.
Aty dëshmoi zyrtari policor, Halim Behramaj.
Ai ka treguar çfarë ndodhi më 24 shtator të vitit 2023, kur rreth orës 02:00, përmes radiolidhjes nga njësia e kufirit, policët kishin pranuar informatë se në fshatin Banjskë janë vendosur barrikada.
Në Pallatin e Drejtësisë ka vazhduar edhe sot seanca gjyqësore për rastin “Banjska”, që lidhet me ngjarjet e rënda të 24 shtatorit 2023 në veriun e Kosovës. Në këtë seancë dëshmoi zyrtari policor Halim Behramaj, i cili përshkroi me detaje momentet dramatike të asaj nate, kur policia kosovare u përball me një sulm të organizuar nga persona të armatosur.
Sipas dëshmisë së Behramajt, rreth orës 02:00 të mëngjesit, përmes radiolidhjes, njësia e kufirit kishte njoftuar për vendosjen e një barrikade në hyrje të fshatit Banjskë. Behramaj tha se në atë moment ndodhej në Stacionin Policor në Zveçan, së bashku me kolegët patrullues, të cilët, menjëherë pas pranimit të informatës, ishin përgatitur për të dalë në terren me dy vetura policore.
Në vendin e ngjarjes, sipas tij, ishin pozicionuar katër automjete policore – ndër to një veturë Skoda e drejtuar nga Fahri Shala, një Toyota ku ndodheshin Elez Peci dhe rreshteri Afrim Bunjaku, një tjetër Skoda me Behramajn dhe Avni Shalën, si dhe një Toyota e policisë kufitare me tre zyrtarë, të cilët qëndronin jashtë automjetit.
“Të gjithë kolegët kanë dalë nga automjetet dhe janë nisur në këmbë në drejtim të barrikadës për të shikuar situatën dhe për të raportuar ngjarjen,” ka thënë Behramaj, duke përshkruar skenën e parë të përballjes. Ai shtoi se vendi ku ndodhej barrikada – mbi urë, në hyrje të fshatit – ishte i ndriçuar, ndërsa fshati dhe hapësira përreth ishin në errësirë të plotë.
Në ato çaste tensioni, polici Elez Peci kishte thirrur me zë të lartë kolegët, duke i paralajmëruar se barrikada mund të ishte një kurth. Ai kishte kërkuar që të gjithë të shpërndaheshin dhe të zinin pozicione për sigurinë e tyre.
“Brenda 10 sekondave është dëgjuar një fishkëllim dhe pastaj ka eksploduar një detonim,” rrëfeu Behramaj. Pas shpërthimit, kishin nisur menjëherë krismat e armëve nga drejtimi i fshatit Banjskë. Ai dhe kolegu i tij, Avni Shala, ishin pozicionuar prapa veturës Skoda dhe kishin filluar t’i përgjigjeshin sulmit.
Behramaj kishte vërejtur se rreshteri Afrim Bunjaku ishte i shtrirë dhe nuk po lëvizte. Më pas, Elez Peci dhe një tjetër zyrtar i njësisë kufitare kishin arritur ta tërhiqnin Bunjakun dhe ta transportonin me shpejtësi drejt spitalit në Mitrovicë.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kishte arritur një autoblindë e njësive speciale, e cila kishte vazhduar drejt barrikadës për të tërhequr pjesën tjetër të njësisë. Behramaj dhe Avni Shala kishin mbetur në vendngjarje për disa minuta të tjera, përballë rrezikut të vazhdueshëm.
Më vonë, një autoblindë tjetër kishte arritur nga drejtimi i Izvorit dhe Behramaj ishte futur brenda saj, ndërsa Shala kishte marrë veturën Skoda dhe ishte nisur për Mitrovicë.
Gjatë qëndrimit në autoblindë me pjesëtarë të NJRSH–Ferizaj, ata ishin sulmuar vazhdimisht. Njëra nga gomat e automjetit ishte dëmtuar, dhe ishin tërhequr për rreth 500–600 metra. Por edhe aty, sulmet nuk kishin pushuar – ishin qëlluar me granata minahedhësi.
Në vendin e përplasjes, kishin mbërritur edhe autoblinda të tjera të NJRSH-së, e më pas, rreth 15 minuta më vonë, kishte arritur edhe Njësia Speciale. Behramaj deklaroi se kishte qëndruar me ta deri në orën 09:00 të mëngjesit, kur një patrullë e Policisë Kufitare e kishte marrë dhe e kishte kthyer në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut.
Dëshmia e Behramajt sjell në dritë detaje tronditëse të një nate që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi më të madhe. Gjykimi për rastin “Banjska” vazhdon ende./Lajmi.net/