Isha zëri i Kosovës në Hagë, do të jem zëri i Kosovës edhe në Kuvend!

Gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Lahi Brahimaj, do të kandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës në kuadër të listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Lajme

28/05/2014 10:57

Ai ka thënë se Aleanca dhe i nominuari i tyre për Kryeministër të vendit, Ramush Haradinaj e ka ofertën më konkrete dhe më korrekte.

Rruga e Lahi Brahimajt është prej atyre të pazakonshmeve në këtë periudhë kohore kur jo pak kandidatë të listave të ndryshme përfliten për vepra apo indikacione të ndryshme.

I akuzuar së bashku me Ramush Haradinajn dhe Idriz Balajn nga Tribunali i Hagës, edhe Lahi Brahimaj, kaloi nëpër kthetrat e këtij Tribunali për 9 vite me radhë.

 Në shkallën e parë i dënuar me 6 vite dhe në procesin e dytë, i liruar nga të gjitha Aktakuzat nga ky Tribunal, duke e bërë kështu jovalid edhe dënimin e parë, Brahimaj këso radhe ka vendosur të futet në politikë pa “bagazhin” e të dënuarit.

“Unë kam qenë gjithmonë i afërt, në fakt pjesëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Rruga ime jetësore, qoftë ajo e rinisë ashtu edhe e luftës por edhe pasluftës ka qenë e lidhur ngushtë me atë të Ramush Haradinajt”.

“Fati e deshi që për vite e vite të tëra të ishim bashkë. Tashti, dy vjet pasi dolëm faqebardhë nga proceset e vështira në Hagë, në të cilat, dhe këtë më duhet ta them, jo vetëm që dolëm me sukses nga akuzat e pabaza, por edhe Kosovën dhe luftën tonë të drejtë për çlirim të vendit e mbrojtëm me sukses, kam marrë ofertën që të kyçem në politikë dhe të kandidoj për Kuvendin e Kosovës”.

“Natyrisht që jam matur dhe hamendur se a mundem të marr këtë përgjegjësi dhe obligim si ndaj familjes sime ashtu edhe ndaj partisë, por edhe qytetarëve të rajonit tim prej nga vij, pra Gjakovës edhe rrethinës si dhe të gjithë qytetarëve që do të më votojnë. Dhe pasi i kam shqyrtuar krejt këto aspekte vendosa t’i futem garës politike”.

“E di që nuk është e lehtë. E marr me mend që për zgjedhje të ndryshme ka patur kandidatë dhe premtime të ndryshme të cilat nuk janë realizuar. Prandaj, dua të shprehem i kujdesshëm qoftë në takimet e mia me votuesit e qytetarët ashtu edhe me strukturat e partisë. E them këtë sepse nuk e kam ndërmend të premtoj diçka që s’mundem të realizoj. Dhe para së gjithash e shoh si tepër të nevojshme që kontaktet me qytetarët, votuesit t’i ruaj dhe mbaj edhe pas zgjedhjeve. Pra të mos harrohen as hallet dhe as problemet e tyre të cilat siç e dimë të gjithë janë të shumta”.

Brahimaj ka thënë se Aleanca dhe i nominuari i saj për Kryeministër të vendit, Ramush Haradinaj e ka ofertën më të qartë, më konkrete dhe më korrekte.

“Ndoshta edhe mund të bëhem paksa personal, por ashtu siç unë e njoh Ramushin, për tërë këto vite, mundtë them që kurrë s’e kam parë më të koncentruar sesa muajve të fundit. Qoftë sa është hartuar platforma për DREJTIM TË RI ashtu edhe në organizimin dhe mobilizimin e strukturave të partisë. Pastaj s’duhet të harroni që Ramushi është në një fushatë për herë të parë pas 9 vitesh. Kjo na ka bërë të gjithëve në parti, dhe siç po shihet edhe në tërë Kosovën, më tepër se optimist që kemi një program i cili jo vetëm që është i shkruar dhe nënshkruar nga Ramush Haradinaj, por në fakt ky program edhe do të jetësohet për qytetarët e vendit”.

“Nuk kam shumë të them: e dini edhe vet dhe po e ndiejnë edhe qytetarët e Kosovës se në çfarë gjendje të rëndë jemi të gjithë. Prandaj, sa më shpejt që të ndryshojë kjo gjendje, dhe vendi të merr DREJTIM TË RI, aq më mirë për të gjithë neve”, ka thënë ndër të tjera Brahimaj në një intervistë për KosovaPress.