Ish-zyrtari amerikan e qorton Daçiqin për ndërhyrje në politikën e brendshme të SHBA-së

Michael Carpenter, një ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes përgjegjës për Rusinë, Euroazinë dhe Ballkanin, ka thënë se ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, planifikon të ndërhyjë në politikën e brendshme amerikane duke ftuar serbët në Amerikë të votojnë për Donald Trumpin në zgjedhjet e 2020-ës.

Lajme

07/08/2019 23:06

Carpenter, drejtor i “Penn Biden Centre”, që po ashtu ka shërbyer si këshilltar politik për Zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden, i ka thënë Zërit të Amerikës se ai beson që “Daçiqi po bën një gabim të madh” me këtë thirrje dhe se “mbështetja ndaj rrugës evropiane të Serbisë është një çështje mbi të cilën dy partitë në SHBA duhet të pajtohen”.

“Ministri i Jashtëm i Serbisë planifikon të ndërhyjë në politikën e brendshme amerikane duke mbledhur serbo-amerikanët për të mbështetur Trumpin më 2020. Personalisht mendoj se ai po bën gabim të madh, dhe mbështetja amerikane për rrugën evropiane të Serbisë duhet të mbetet një çështje bipartizane”, ka shkruar Carpenter në profilin e tij në Twitter.

“Konkretisht, si ministër i Jashtëm, do të bëj një organizim që të formalizojmë mbështetjen për Trumpin në zgjedhjet e ardhshme. Serbët në Amerikë edhe ashtu votojnë për Trumpin. Nëse këtë e bëjmë mençur, nëse i unifikojmë ato vota, që nuk janë pak, do të krijojmë një pozicion më të mirë në administratën e re”, ka thënë Daçiqi për mediat serbe dje.