Ish-Zotëria i Parë lavdëron Osmanin: Hyre si lidere, po del si frymëzim për të gjithë
Ish-Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka publikuar një mesazh emocional për ish-Presidenten dhe bashkëshorten e tij, Vjosa Osmani pas përfundimit të mandatit të saj të parë, duke e cilësuar atë si një figurë që ka lënë gjurmë në historinë moderne të vendit. Në reagimin e tij, Sadriu vlerëson lart rolin dhe kontributin e…
Lajme
Ish-Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka publikuar një mesazh emocional për ish-Presidenten dhe bashkëshorten e tij, Vjosa Osmani pas përfundimit të mandatit të saj të parë, duke e cilësuar atë si një figurë që ka lënë gjurmë në historinë moderne të vendit.
Në reagimin e tij, Sadriu vlerëson lart rolin dhe kontributin e saj në krye të shtetit.
“Ti nuk e mbajte thjesht postin më të lartë të shtetit, atë të Kreut të Shtetit. Ti e mbushe atë me plot kuptim. E transformove rrënjësisht atë. Hyre si lidere dhe po del si frymëzim”, ka shkruar ai.
Ai thekson se përballja me sfidat është bërë me vendosmëri dhe pa tërheqje.
“Çdo sfidë që të është vënë përpara, dhe kanë qenë të shumta, e përballove jo me hezitim, por me atë zjarr të qetë e të pathyeshëm që të ka përkufizuar gjithmonë… Nuk u përkule kurrë. Nuk u tërhoqe kurrë. Thjesht vazhdove përpara, sepse Kosova kishte shumë nevojë për ty”, thuhet në mesazh.
Sadriu vlerëson gjithashtu paraqitjen e saj në arenën ndërkombëtare, duke përmendur fjalimet dhe përfaqësimin në institucionet më të rëndësishme botërore.
“Të kam parë teksa qëndroje në foltoren e Parlamentit Evropian. Të kemi parë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuar dhe ti bëre që bota të ndalet e të dëgjojë,” ka shkruar ai.
Sipas tij, ish-Presidentja Osmani ka arritur ta shndërrojë emrin e saj në një simbol ndërkombëtar.
“Vjosë, emri yt nuk është thjesht më një emër. Është një markë dhe një brend i njohur në të gjitha kontinentet. Është një simbol që politikanët e kërkojnë me vetëdije”, thekson Sadriu.
Ai shton se gjatë mandatit të saj, Kosova ka fituar një imazh më dinjitoz dhe më të fuqishëm në botë.
“Ti i dhe Kosovës një pamje që nuk e kishte pasur kurrë më parë; dinjitoze, sovrane dhe krenare me vetveten”, shkruan ai.
Në mesazh nuk mungon as dimensioni personal, ku Sadriu e falënderon për rolin si nënë dhe bashkëshorte.
“Ti mbete gruaja dhe nëna më e mrekullueshme, më e përkushtuar dhe më e dashur për mua dhe për dy vajzat tona,” shprehet ai.
Në fund, ai thekson se ky nuk është fundi i rrugëtimit të saj politik.
“Prandaj, ky nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri në rrugëtimin tënd publik mbi 20-vjeçar”, përfundon Sadriu.