Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave i rikthehen grevës
Rreth 50 ish-punëtorë të Fabrikës së Tubave nga Ferizaj kanë hyrë në grevë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për t’i kërkuar të hollat e pagave për 10 vjet sa ishin përjashtuar nga puna në kohën e ish-regjimit të Millosheviqit në vendin tonë.

Lajme
Kryetari i Shoqatës Sindikale IMF të ish- punëtorëve të kësaj fabrike në Ferizaj, Ali Azemi ka thënë se janë detyruar ta rifillojnë grevën pasi që vendimi i marrë nga Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk është realizuar, raporton KosovaPress.
“Kuvendi më 19 mars e pruni një vendim që ekzekutimi i borxhit prej 25 milionë e 649 mijë e 250 euro, 50 për qind e këtij borxhi të bëhet brenda 30 ditëve dhe atë ta bëjë ekzekutimin qeveria bashkë me AKP-në. Tashti kaluan ato 30 ditë, domethënë kaloi 19 prilli, kur ishte afati i fundit që të bëhej ky ekzekutim. Qeveria më 29 prill e pruni një vendim ku i sugjeron AKP-në se heq dorë nga fondi tepricë, që fond tepricë është si pare publike dhe faktikisht ato janë pare publike që i menaxhon Qeveria heq dorë prej këtij fondi në shumën 25 milionë, në mënyrë që të bëhet kompensimi i borxhit të punëtorëve”, ka thënë ai.
Azemi ka thënë se ka kontaktuar edhe me zyrtarë të AKP-së, e cila është përgjegjëse për kthimin e mjeteve, mirëpo, sipas tij, kjo agjenci nuk e ka bordin e kompletuar, gjë që nuk ka mundësi ta marrë atë vendim.
Sipas Azemit, AKP ju ka premtuar se brenda 5 ditëve do ta kompletojë bordin dhe do t’iu paguajë mjetet, por ai ka shtuar se deri më tani kanë kaluar 10 ditë dhe një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Azemi ka thënë se në grevë kanë dalë 150 ish-punëtorë, por për shkak të hapësirës së pamjaftueshme për të qëndruar para Qeverisë, do të qëndrojnë 45 vetë derisa të tjerët do t’i mbështesin në forma tjera.
Ish-punëtorët e kësaj fabrike kishin protestuar në muajin mars të këtij viti për të njëjtën kërkesë, por pasi Qeveria e Kosovës dhe AKP-ja e kishin marrë vendimin par t’ua paguar mjetet, ata e kishin ndërprerë grevën.
Mirëpo, tani, sipas Azemit, punëtorët janë të zhgënjyer dhe këtë herë ata nuk do të largohen pa i parë mjetet e tyre në llogaritë bankare.
(KosovaPress)