Ish polici i Kosovës u ndalua dje në Serbi, MPJD: Spahiu pritet të dal sot para Gjykatës, jemi në kontakt me familjarët e tij

Dje në mëngjes, një ish zyrtar policor i Njësive Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë bashkë me familjen e tij. Spahiu po udhëtonte me autobus kur u ndal nga autoritetet serbe. Ministria e Punëve të Jashtme…

Lajme

09/06/2025 10:43

Dje në mëngjes, një ish zyrtar policor i Njësive Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë bashkë me familjen e tij.

Spahiu po udhëtonte me autobus kur u ndal nga autoritetet serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë autoriteteve serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, me qëllim të konfirmimit të ndalimit, ofrimit të sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimit mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu.

Sipas MPJD-së, lidhur me rastin, është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Beograd.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është njoftuar se mëngjesin e djeshëm (7 qershor 2025), rreth orës 09:00, shtetasi i Republikës së Kosovës, z. Arbnor Fatmir Spahiu, është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria.Në momentin e ndalimit, z. Spahiu po udhëtonte me autobus, së bashku me anëtarët e familjes.Menjëherë pas marrjes së informacionit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë autoriteteve serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, me qëllim të konfirmimit të ndalimit, ofrimit të sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimit mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”.

Gjithashtu, lidhur me rastin, është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Beograd.

“Spahiu është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, rreth 60 km nga Kikinda, në Vojvodinë, dhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e z. Spahiu, përkatësisht me bashkëshorten e tij. Ai pritet të dalë të hënën në orën 09:00, para gjyqtarit të procedurës paraprake, në Gjykatën Komunale të Kikindës”, ka thënë MPJD për lajmi.net

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë për lajmi.net se do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet përmes kanaleve diplomatike përkatëse dhe do të mbajë të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo informacion të ri të konfirmuar zyrtarisht.

Për këtë rast ka reaguar edhe avokati Arianit Koci, i cili përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se është angazhuar për mbrojtjen e Spahiut.

Sipas tij, i njëjti ka tre vjet që nuk është pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”.

“Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar. Vetëm pak ditë më parë, një ish-polic tjetër – Aleksandar Vlajiq – e ka pranuar fajësinë se ka punuar për shërbimin sekret serb (BIA) dhe është dënuar për spiunazh. Me këtë është vërtetuar se BIA serbe ka vepruar brenda territorit të Kosovës dhe brenda strukturave të saj të sigurisë”, ka shkruar Koci në Facebook.

Koci ka thënë se ndalimi i Arbnor Spahiut po duket si reagim i drejtpërdrejtë ndaj këtij zbulimi, derisa këtë e ka quajtur përpjekje për të frikësuar, për të ndëshkuar dhe për të krijuar pasiguri – sidomos për ata që dikur kanë shërbyer në institucionet e sigurisë së Kosovës.

Kurse sot Koci njoftoi se Spahiu është nisur drejt Suboticës, ku pritet të merret në pyetje nga Prokuroria serbe.

“Prokurori do ta marrë në pyetje dhe më pas do të vendosë. Jam i bindur se gjithçka do të përfundojë në të mirë të klientit tim, pasi që nuk ka asnjë bazë për ndalimin e tij”, theksoi Koci.

Serbia vazhdimisht ka bërë ndalime të ngjashme të zyrtarëve policorë, aktivistëve e zyrtarëve të tjerë shtetërorë të Kosovës./Lajmi.net/