Ish-ministri Hasani ironizon me vendimin e Qeverisë, thotë se mund të zgjasë vetëm një javë

Qeveria e Kosovës, sot në mbledhjen e saj ka miratuar propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për masën tarifore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Lajme

06/11/2018 21:03

Pas këtij propozimi të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, Qeveria e Kosovës, e ka futur menjëherë në fuqi këtë vendim, raporton lajmi.net.

Mirëpo, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se vështirë se kjo masë e tillë mund të zgjasë më shumë se një javë.

Sipas tij, një gjë të tillë e kishte provuar edhe ai gjatë kohës së ishte në krye të MTI-së, por që ishte kundërshtuar nga kabineti qeveritar me arsyetimin se po i dëmtojmë marrëdhëniet me fqinjët dhe e shkelim marrëveshjen e CEFTA-s. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i ish-ministrit Bajram Hasani pa ndërhyrje:

Në kohën sa isha ministër i Tregtisë dhe Industrisë, pata marrë disa masa ndaj shteteve fqinje për produkte që i dëmtonin prodhuesit tonë.

E keni shumë të freskët në kujtesë se këto vendime u kundërshtuan nga shumë ish-kolegë të mi nga kabineti qeveritar me arsyetimin se po i dëmtojmë marrëdhëniet me fqinjët dhe e shkelim marrëveshjen e CEFTA’së.

Më erdhi mirë kur po të njëjtit sot kërkuan masa ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Duke i njohur dyshoj shumë se këto masa do të jenë gjatë, mund të zgjasin vetëm deri të martën e ardhshme.