Ish këshilltari i Wesley Clark, Michael Durkee përfundon dëshminë e tij në Hagë

Michael Durkee, ish këshilltari i Wesley Clark ka përfunduar sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, dëshmi të cilën e ka filluar dje. Ish-këshilltari politik i Clarkut në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha të mërkurën se në kohën kur kishte ndodhur takimi mes tyre dhe Hashim Thaçit në mars…

Lajme

13/11/2025 13:50

Michael Durkee, ish këshilltari i Wesley Clark ka përfunduar sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, dëshmi të cilën e ka filluar dje.

Ish-këshilltari politik i Clarkut në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha të mërkurën se në kohën kur kishte ndodhur takimi mes tyre dhe Hashim Thaçit në mars ose prill të 1999-ës në Mons të Belgjikës, nuk e dinin se cilat ishin kapacitete e UÇK-së.

Tutje, ai tha se UÇK-ja nuk kishte një strukturë solide të konsoliduar komande, “që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra që më pas do të çonin në veprime apo operacione të caktuara në terren”.

Pos tjerash, ai tha se shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës, ndiheshin se ishin tradhtuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta.

Durkee ndër të tjera është pyetur nga prokurorja se a e ka lexuar aktakuzën në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Jo nuk e kam lexuar”, tha shkurt Durkee.

Ai po ashtu deklaroi se nuk e di se për çfarë krime akuzohen ata.

Durkee është dëshmitari i gjashtë me radhë i mbrojtjes së Thaçit, ndërsa të hënën pritet që të filloj dëshminë, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit, Wesley Clark.