Ish-këshilltari i UNMIK-ut: Nuk e di cili ishte roli i Rexhep Selimit gjatë 1999-ës

Dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer tha sot në Hagë se në kohën kur ka punuar si këshilltar juridik i UNMIK-ut në Kosovë gjatë 1999-ës, e ka takuar një apo dy herë Rexhep Selimin. Megjithatë, ai tha se në atë kohë ka mundur që ta dijë rolin e Selimit por që tashmë nuk i kujtohet. “Mbasi edhe e…

Lajme

21/01/2025 14:03

Dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer tha sot në Hagë se në kohën kur ka punuar si këshilltar juridik i UNMIK-ut në Kosovë gjatë 1999-ës, e ka takuar një apo dy herë Rexhep Selimin.

Megjithatë, ai tha se në atë kohë ka mundur që ta dijë rolin e Selimit por që tashmë nuk i kujtohet.

“Mbasi edhe e kam ditur por tani nuk me kujtohet”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai gjithashtu u pyet nëse ka marrë pjesë në ndonjë ngjarje konkrete për të cilën dëshmitari ka njohuri.

”Sot nuk me kujtohet diçka e tillë”, tha ai.

Më pas, Eric Tully, avokat i Rexhep Selimit Tully u fokusua tek rregullorja e UNMIK-ut lidhur veprimet policore që u kryenin gjatë kohës së operimit në Kosovë.

“Kur kam qenë unë atje as nuk kemi pas rregullore e as forcë policore. Për ne ishte KFOR-i dhe autoriteti që i kryente arrestimet në bazë të rregullores së tyre dhe filluan që të na nxisnin ne që t’i kryenim më pas që të krijohej një formë e institucioni të ngjashëm me gjykatën në mënyrë që t’i trajtonim këto situata sepse situata ishte disi emergjente”, tha Strohmeyer.

Ai tha se rregullorja e UNMIK-ut është harruar më pas dhe nuk ka qenë në fuqi në kohën që po flet ai.

Kjo deklaratë e dëshmitarit erdhi pasi Tully tha se rregullorja thotë që çdo i arrestuar duhet të dal para një autoriteti gjyqësor dhe se rastet e tjera të arrestimeve janë të ndaluara përjashtim atyre që evidentohen në rregullore.

Për këtë, Tully i tha dëshmitarit se kanë pasur problematika me arrestimet e KFOR-it dhe procesin e rregullt gjyqësor.

“Me aq sa kam kuptuar unë në atë kohë dhe me aq sa kuptoj sot, sigurisht që për çdo forcë dhe organizatë duhet të ketë një rregullore procedure apo rregullore operacionale. Kështu që unë besoj që edhe KFOR-i një rregullore e kishte. Ajo që nuk me kujtohet mua është që të kemi bërë analizë juridike kjo e thotë rregullorja juaj e kjo e jona. Mbaj mend që kemi diskutuar kështu; ata thonin kjo nuk është detyra juaj, kjo nuk është detyra jonë. Pra, problematika kryesore ka qenë se a do ta ushtronin ata këtë funksion. Kjo ka qenë natyra e diskutimeve sa me kujtohet mua sot”, tha tutje dëshmitari.

Pas disa pyetjeve lidhur me këtë rregullore, seanca kaloi në sesion privat për publikun.