Ish-kandidati për deputet i VV-së në krye të ATK-së, ka qenë i dënuar për mosdeklarim pasurie – flasin nga Prokuroria Themelore

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Lajmi.net se drejtori aktual i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, është shpallur fajtor dhe dënuar për mosdeklarim të pasurisë gjatë kohës kur ushtronte funksion publik si anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Sipas përgjigjes zyrtare të Prokurorisë, ndaj Hysenit ka ekzistuar “dyshimi i…

Lajme

23/08/2025 18:05

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Lajmi.net se drejtori aktual i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, është shpallur fajtor dhe dënuar për mosdeklarim të pasurisë gjatë kohës kur ushtronte funksion publik si anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Sipas përgjigjes zyrtare të Prokurorisë, ndaj Hysenit ka ekzistuar “dyshimi i bazuar mirë” se ai, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë. Ai nuk kishte bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor, përkatësisht nga 1 mars deri më 31 mars 2022, për të hyrat dhe pasurinë e vitit paraprak (2021).

“Me këtë, i pandehuri Mentor Hyseni ka kryer veprën penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, nga neni 430, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Lajmi.net.

Prokuroria gjithashtu ka konfirmuar se me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë (P.nr. 1922/22) të datës 01.11.2022, është pranuar kërkesa e Prokurorisë dhe i akuzuari Mentor Hyseni është shpallur fajtor, duke u dënuar me një gjobë prej 100 eurosh.

Kritika për emërimin e Hysenit në krye të ATK-së

Mentor Hyseni, që më parë ka qenë kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, njihet si një figurë e afërt me partinë në pushtet. Emërimi i tij në pozitën e drejtorit të ATK-së është pritur me reagime të forta kritike nga opozita dhe shoqëria civile, për shkak të lidhjeve të tij të hapura politike dhe mungesës së transparencës në procesin e përzgjedhjes.

Dënimi për mosdeklarim të pasurisë shton më tej debatet rreth integritetit të figurave që mbajnë pozita të larta në administratën publike, veçanërisht në agjencitë që kanë rol kyç në mbledhjen e të hyrave dhe në ruajtjen e standardeve të ligjshmërisë.

Ministri në detyrë, Hekuran Murati mori pjesë në ceremonin zyrtare kur Mentor Hyseni e mori detyrën me 14 gusht 2025

Më 14 gusht 2025, në një ceremoni zyrtare të mbajtur në ambientet e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), u bë pranim–dorëzimi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm. Pas përfundimit të mandatit, Ilir Murtezaj ia dorëzoi detyrën Mentor Hysenit, i cili ishte përzgjedhur në këtë pozitë pas një procedure rekrutimi të cilësuar si të rregullt dhe në përputhje me kriteret ligjore. Në ceremoni mori pjesë edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili falënderoi Murtezajn për kontributin në rritjen e të hyrave dhe përmirësimin e shërbimeve tatimore, ndërsa Hysenit i uroi suksese në detyrën e re, duke i premtuar mbështetje për avancimin e reformave dhe forcimin e transparencës në sistemin tatimor./lajmi.net/