Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel flet për luftën: Izraeli duhet të mbrohet nëse dikush thotë se do ta eleminojë
Angela Merkel, kancelarja që drejtoi Gjermaninë për 16 vjet, ka folur në një intervistë për gazetën Neue Osnabrücker Zeitung, ku trajton vendimet e saj gjatë mandatit, situatën aktuale gjeopolitike dhe sfidat me të cilat përballet bota sot – veçanërisht konfliktin në Lindjen e Mesme. Merkel shprehu mbështetje të qartë për Izraelin, duke theksuar të drejtën…

Bota
Angela Merkel, kancelarja që drejtoi Gjermaninë për 16 vjet, ka folur në një intervistë për gazetën Neue Osnabrücker Zeitung, ku trajton vendimet e saj gjatë mandatit, situatën aktuale gjeopolitike dhe sfidat me të cilat përballet bota sot – veçanërisht konfliktin në Lindjen e Mesme.
Merkel shprehu mbështetje të qartë për Izraelin, duke theksuar të drejtën e shtetit për vetëmbrojtje përballë kërcënimeve ekzistenciale nga Hamasi dhe Irani. “Nëse disave u lejohet të deklarojnë se duan të eliminojnë shtetin e Izraelit, shteti i Izraelit duhet të jetë në gjendje të mbrohet kundër kësaj,” tha ajo.
Megjithatë, ajo shtoi se në dritën e zhvillimeve të fundit, disa veprime të Izraelit ngrenë pyetje për përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare. “Nëse ekzistenca e një vendi vihet në dyshim nga Hamasi ose Irani, kjo nuk është aq e lehtë për t’u përgjigjur në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, tha Merkel, duke reflektuar mbi kompleksitetin ligjor dhe moral të situatës.
Ish-kancelarja u shpreh se nuk ndjen keqardhje që nuk merr më pjesë në samitet e krerëve të shteteve dhe qeverive. “Mund ta imagjinoj përafërsisht se si shkon, por nuk ka asnjë melankoli. Nëse do të më kishin larguar nga posti pas një mandati të vetëm, atëherë do të më vinte keq që nuk e kisha përjetuar mjaftueshëm. Por 16 vjet si kancelare është një kohë tepër e gjatë”, tha Merkel.
Ajo komentoi edhe mbi pjesëmarrjen e Kancelarit aktual Friedrich Merz në samitin e G7 në Kanada, duke e quajtur një ngjarje të veçantë për të. “Sot, thjesht mendoj se është një përvojë e re për të,” shtoi ajo.
Merkel preku edhe tema të tjera aktuale në intervistë, përfshirë financimet për klimën, zhvillimin e inteligjencës artificiale, si dhe mundësinë e një presidenteje femër në të ardhmen.
Që prej botimit të biografisë së saj në vjeshtën e kaluar, Merkel ka qenë më e pranishme në skenën publike sesa pritej nga një ish-udhëheqëse shteti. Ajo ka komentuar shpesh mbi zhvillimet politike në Gjermani, përfshirë edhe kritikën e saj ndaj një propozimi të Unionit për politikën e migracionit, i cili, sipas saj, u miratua në Bundestag “me sy hapur”, vetëm falë votave të partisë së djathtë ekstreme AfD – diçka që ajo e konsideroi problematike./TCH/