​Ish-gjenerali serb: SHBA dhe NATO planifikonin bombardimin e Serbisë që më 1984

Amerika dhe NATO-ja i hodhën bombat e para ndaj Serbisë më 24 mars 1999. Arsye për këtë ishte lufta në Kosovë dhe represioni i madh që forcat e Sllobodan Millosheviqit po bënin këtu, duke përfshirë masakrat e shpeshta, sikur ajo e Reçakut, në janar të po këtij viti. Megjithatë, Serbia ishte paralajmëruar nga SHBA disa…

Lajme

07/07/2026 12:13

Amerika dhe NATO-ja i hodhën bombat e para ndaj Serbisë më 24 mars 1999.

Arsye për këtë ishte lufta në Kosovë dhe represioni i madh që forcat e Sllobodan Millosheviqit po bënin këtu, duke përfshirë masakrat e shpeshta, sikur ajo e Reçakut, në janar të po këtij viti.

Megjithatë, Serbia ishte paralajmëruar nga SHBA disa vite më herët se do të përballet me sulmet e saja dhe të NATO, nëse nis konfliktin në Kosovë.

Sinjalet e para që Serbia (ish Jugosllavia) do të bombardohet për shkak të Kosovës ishin dhënë, më 1991.

Një pretendim tjetër është se planet e para për këtë gjë ishin bërë qysh më 1984. Dhe për to, Beogradi ishte në dijeni.

Kështu ka thënë ish-shefi i Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake të Jugosllavisë, gjenerali Branko Krga, në një interviste për medie në Serbi.

“Me fillimin e krizës në ish-Jugosllavi, më 1991, ambasadori amerikan Warren Zimmermann i kishte thënë ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme të Serbisë, Vladislav Jovanoviq, se nëse do të shpërthente një konflikt i armatosur në Kosovë, Serbia do të bombardohej”, ka thënë ai më herët për emisionin Reletivizacija.

Ai e pranoi se ky, megjithatë, nuk ishte indikacioni i parë për një sulm të mundshëm të Amerikës dhe të NATO-s në territorin e Jugosllavisë së atëhershme. Aleanca, sipas tij, e kishte shqyrtuar këtë mundësi edhe disa vite më parë.

“Diku në vitin 1984 ne publikuam në buletinin tonë një analizë të një stërvitje komando-shtabore të NATO-s me emrin ‘Tre zogj’”, e cila stërvitje simulonte operacione ushtarake kundër nesh (Jugosllavisë) në lidhje me Kosovën”, tha Krga.

Ai përmendi edhe librin “Agresioni ndaj Jugosllavisë” të profesorit kanadez Michel Chossudovsky, duke thënë se aty, autori shkruan se Shtetet e Bashkuara në vitin 1984 kishin miratuar një dokument me numrin 133, i cili, sipas tij, parashihte shpërbërjen e Jugosllavisë.

“Për këtë dihej diçka edhe më herët, por ai ka shkruar për këtë dokument në mënyre decidive”, tha Krga.

Pavarësisht deklaratave për ekzistencën e pretenduar të “plane të ndryshme strategjike” ai tha se jo çdo dokument apo plan që bëhet publik realizohet domosdoshmërisht në praktikë.